Shefi i Zyrës për Kosovën në Qeverinë serbe, Petar Petkoviç bëri me dije se autoritetet në Kosovë i kanë refuzuar kërkesën që të zhvillojë një vizitë në Kosovë për Pashkët Ortodokse.
Sipas një njoftimi, Petkoviç kishte planifikuar të merrte pjesë në liturgjinë e mesnatës për Pashkët në Manastirin e Deçanit, pastaj në shërbesën në Manastirin e Graçanicës në mëngjesin e Pashkëve dhe në një takim me të rinjtë në Manastirin e Draganacit.
“Ndonëse vizita ishte ekskluzivisht e karakterit fetar dhe përfshinte ekskluzivisht vizita në manastire dhe në vendet e shenjta të Kishës Ortodokse Serbe, në frymën e festës më të madhe për serbët, pa qëllime politike, autoritetet në Prishtinë e ndaluan vizitën e tij pa asnjë shpjegim”, tha zyra e Petkoviç.
Kjo zyrë shtoi se për më shumë se një vit, Qeveria e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, po e pengon Petkoviç që të vizitojë serbët në Kosovë.
Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës ende nuk ka reaguar në lidhje me pretendimet e zyrtarit serb.