Policia ka arrestuar në flagrancë një 35-vjeçar, pasi shantazhoi një shtetas për t’i marrë 40 000 euro, në këmbim të mospublikimit të komunikimeve personale që i kishte gjetur në llogarinë që i kishte vjedhur në Instagram.
Policia sekuestroi 7 celularë, 2 disqe dhe 1 USB dhe vijon të punojë për të identifikuar dhe nxjerrë përpara përgjegjësisë penale, shtetas të tjerë që dyshohet se kanë bashkëpunuar me 35-vjeçarin, për këtë rast.
“Në vijim të monitorimit, hetimeve proaktive dhe punës intensive që po kryhen nga strukturat e specializuara të Policisë së Shtetit, për goditjen e krimeve kibernetike, si dhe si rezultat i administrimit të menjëhershëm të kallëzimit të një 31-vjeçari, se ishte shantazuar nëpërmjet celularit, për dhënien e një shume të konsiderueshme parash, Drejtoria për Hetimin e Krimeve Kibernetike në Departamentin e Policisë Kriminale në DPPSh në DPPSh, në bashkëpunim me Drejtorinë e Forcës së Posaçme Operacionale dhe me Prokurorinë e Tiranës, finalizoi operacionin policor të koduar “Double click”.
Gjatë operacionit u arrestua në flagrancë teksa merrte paratë nga 31-vjeçari, shtetasi A. H., 35 vjeç.
Ai dyshohet se ka kanosur nëpërmjet celularit, një shtetas, për t’i marrë 40 000 euro, në këmbim të mospublikimit të komunikimeve personale që i kishte gjetur në llogarinë që i kishte vjedhur, në rrjetin social Instagram”, njofton policia.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë” dhe “Hyrja e paautorizuar kompjuterike”