Policia italiane ka arrestuar në qytetin e Imperias, shqiptarin Altin Tola, 51 vjeç nga qyteti i Durrësit, i kërkuar që prej vitit 2012 nga drejtësia italiane e shqiptare.
Ndaj tij rëndon dënimi me 20 vite e 15 ditë burg me akuzën e pjesëmarrjes në aktivitet mafioz, trafik ndërkombëtar armësh, prodhim e trafikim lëndësh narkotike e krime të ndryshme të kryera në qytetin e Milanos dhe në Tiranë, raporton syri.net.
Altin Tola në momentin e ndalimit nga policia italiane ishte fshehur në një nga banjot e lokalit, ku po ushtrohej kontroll i forcave të rendit duke deklaruar identitet të rremë.
Në banesën ku jetonte shqiptari Policia italiane ka gjetur pasaportën e babait të tij, fakt që ka çuar në zbulimin e identitetit të vërtetë të shqiptarit.
Policia italiane informon se po heton mbi personat që kanë ndihmuar në strehimin e fshehjen që prej 2012 të shqiptarit të dënuar me mbi 20 vjet burg.