Kryeministri Edi Rama u tha gjyqtarëve në një mesazh publik përmes llogarisë së tij në Facebook se falë qeverisë socialiste atyre iu ka ndryshuar jeta, për mirë. “Askush këtu nuk ju cenon ju pozicionin. Përkundrazi, kjo qeveri është garantja e pavarësisë suaj. Dhe ju e dini shumë mirë se këtu keni jetuar, ku keni qenë dhe ju e shikoni vetë ndryshimin e madh që ka ndodhur edhe në jetën tuaj familjare. Dhe për këtë respekt për të gjitha familjet tuaja. Ehe në jetën tuaj profesionale, sepse jeni totalisht të pavarur. A jeni të paanshëm, këtë duhet ta shikoni te vetja dhe ta kërkoni çdo ditë kur hyni në sallën e gjyqit”, tha Rama.
Rama e cilësoi reagimin e Shoqatës së Gjyqtarëve si të papranueshëm dhe të paprecedentë në historinë e Europës. Kreu i qeverisë u shpreh se është “absolutisht i surprizuar” nga ajo që e quajti një përpjekje për t’i imponuar Kuvendit dhe qeverisë vendime përmes pushtetit gjyqësor.
“S’mund të thuash topi është i imi, topin do ta gjuaj vetë dhe porta duhet të jetë bosh. Regjistrohuni si parti dhe shpalosni platformën tuaj nëse doni. Ju zotërinj kërkoni 37 milionë euro nga buxheti i shtetit. Kjo është e vërteta dhe se luan topi. Se për çfarë jemi ne në Gjykatën Kushtetuese me ju, ta dinë shqiptarët. Ju kërkoni që për gjyqtarin e Apelit, rroga nga 3480 euro, të shkojë në mbi 5000 euro”, tha Rama.
“Është hera e dytë që ndodh, që ka një habi, shoqëruar me një përpjekje për të më mbyllur gojën, kur po flas për çka përfaqësoj në emër të shqiptarëve, për një interes që jemi në gjyq. Jemi palë dhe shoqata e gjyqtarëve shfaqet si parti politike me një gjuhë të papranueshme dhe pajustifikueshme për ata që përfaqësojnë pushtetin gjyqësor”.
Kryeministri theksoi se SPAK nuk i është bashkuar kësaj kërkese, duke e veçuar nga pjesa tjetër e sistemit. “Për SPAK e veçoj, se nuk i është bashkuar kësaj kërkese absurde, për ta çuar pagën 9800 euro”, shtoi ai.
Sipas Ramës, gjyqtarët sot paguhen në nivele të krahasueshme me vendet e rajonit, përfshirë Greqinë, dhe kërkesa për rritje me 2-3 mijë euro në muaj nuk ka bazë ligjore apo kushtetuese. Ai shtoi se gjyqtarët duhet të shprehen përmes vendimeve në sallën e gjyqit dhe jo në publik, duke theksuar se çështja tashmë është në Gjykatën Kushtetuese.

















