Drejtuesi i emisionit “Opinion”, Blendi Fevziu ka reaguar në lidhje me kërkesën e Prokurorisë së Specializuar në Hagë për dënimin me nga 45 vite burg katër ish-drejtuesit e UÇK-së, Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.
Këtë kërkesë të “Speciales” Fevziu e cilësoi si të padrejtë dhe absurde, duke theksuar se të akuzuarit nuk janë përgjegjës për krimet e rënda të kryera gjatë luftës së Kosovës dhe se dënime të tilla nuk janë dhënë as për autorët realë të krimeve në ish-Jugosllavi.
“Krime lufte, krime kundër njerëzimit. Katër drejtues të një strukture ushtarako-politike, e cila kurrë nuk u largua nga territori i Kosovës. Kurrë nuk tentoi që të sulmonte një strukturë tjetër. Qëndroi dhe luftoni gjatë luftës së Kosovës, sidomos në vitet ’97-’99. As Hashim Thaçi, as Kadri Veseli, as Rexhep Selimi, as Jakup Krasniqi nuk janë autorët e vrasjes së 1432 fëmijëve, që humbën jetën rrugëve të qyteteve dhe të fshatrave të Kosovës. As Hashim Thaçi, as Kadri Veseli, as Rexhep Selimi, as Jakup Krasniqi nuk janë autorë të vrasjes së mbi 20 mijë shqiptarëve, rreth 7-8 mijë të të cilëve nuk u gjenden ende eshtrat, të marrë peng dhe të masakruar gjatë luftës së Kosovës.
As Hashim Thaçi, as Kadri Veseli, as Rexhep Selimi, as Jakup Krasniqi nuk janë autorë të masakrave me fëmijë, gra, të cilëve u janë prerë kokat dhe janë hedhur në kanale siç ka ndodhur në Rajçak dhe në shumë vende të tjera. Asnjë prej këtyre të katërve nuk ka qenë protagonist politik, apo ushtarak. U bënë protagonist për të mbrojtur familjet e tyre, fisin e tyre dhe tokën e tyre dhe në një moment të caktuar kur Kosova kishte nevojë, ata rrezikuan jetën e tyre për të mbrojtur të ardhmen e prindërve, të fëmijëve të tyre dhe të atyre vetë. Asnjë prej shkaktarëve realë të krimeve në Ish-Jugosllavi, në Bosnje, në Kroaci, Kosovë, Slloveni nuk ka marrë dënime të këtyre përmasave nga Gjykata e Hagës. Ndërkohë që një Gjykatë e Posaçme e Kosovës ka dhënë një dënim i barabartë me dënimin me burgim të përjetshëm”, tha Fevziu.
Ai ngriti gjithashtu shqetësime mbi bazën ligjore të vendimeve të Gjykatës Speciale, mungesën e së drejtës së faljes dhe pamundësinë e dëmshpërblimit, duke e cilësuar këtë çështje si “një rast turpi për Kosovën”.
“Ndërkohë ajo që është absurde, është që kjo gjykatë ka marrë vendime, në bazë të ligjit me të cilën është krijuar, duhet të vepronte me ligjet e Jugosllavisë të vitit 1998, që i ka anashkaluar. Dënimi më i lartë i Jugosllavisë duhet të shkonte 15 vjet. Deri tani nuk ka një gjykatë eprore që mund të kthente vendimet e saj. Nuk lejohet falja nga asnjë autoritet i Republikës së Kosovës, përfshirë edhe vetë presidenten në rast dënimi, e drejta e faljes ekziston në çdo vend të botës. Dhe e katërta, asnjë prek katër të pandehurve edhe nëse do të shpallen të pafajshëm nuk mund të dëmshpërblehet për vitet që ka lënë në burg. Është një ligj që unë nuk e di se në cilin vend të globit ekziston, edhe pse për fatin e keq është votuar nga katër personat që sot po dënohen nga kjo gjykatë dhe nga Parlamenti i Kosovës. Nëse ka një rast turpi për Kosovës, rasti i turpit është ekzaktësisht ky”, përfundoi Fevziu.
















