Një shqiptar është paraqitur në hotelin ku punonte bashkëshortja e tij në Montecatini, Itali dhe e ka kërcënuar atë, si dhe një kolegen e saj që ndërhyri për ta mbrojtur, në sy të disa klientëve. 49-vjeçari shqiptar, identiteti i të cilit nuk bëhet i ditur, është në proces divorci me bashkëshorten.
Më 1 qershor, policia, pasi ndaloi shqiptarin, gjeti në xhepin e djathtë të xhupit të shqiptarit një thikë. Xhep në të cilin, sipas dëshmitarëve, shqiptari mbante dorën gjatë gjithë kohës teksa kërcënonte të shoqen 45-vjeçare, edhe ajo shqiptare, raportojnë mediat italiane, shkruan Syri.net.
Ndaj shqiptarit ishte vendosur një urdhër që mos të afrohej më shumë se 500 metra nga vendet e frekuentuara nga 45-vjeçarja, me të cilën ka dy fëmijë.
49-vjeçari u denoncua sërish, iu sekuestrua arma dhe në ditët në vijim u mbajt nën vëzhgim.
Sipas hetimeve, 49-vjeçari, deri pak ditë më parë, vijonte të lëvizte në afërsi të banesës dhe punës së bashkëshortes.
Me indikacionin e policisë, prokurori kërkoi një masë më të rëndë sigurie për shqiptarin. Mëngjesin e sotëm, kërkesa u pranua nga gjykata e Pistoias dhe ndaj 49-vjeçarit është vendosur masa e sigurisë së arrestit shtëpiak.