Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar një takim me asambletë socialiste të disa njësive në kryeqytet. Gjatë fjalës së tij, Rama ka thënë se ekziston një problem jo i vogël me Hipotekën. Më tej, Rama ka shtuar se nëse nuk votohet PS-ja nuk ka shans që të plotësohet për 2 vite objektivi i transformimit të Kadastrës në një shërbim dixhital nga A tek Zh.
“Kemi akoma një problem jo të vogël me Hipotekën. Ky problemi që kemi me Hipotekën është një arsye për ta votuar apo për të mos e votuar PS-në? Nëse nuk e voton PS-në nuk ka shans që në këto 2 vite e pak të mbetura për të plotësuar objektivin e transformimit komplet të Kadastrës në një shërbim nga A te Zh dixhital sepse e kemi angazhim me BE. Kush do ta bëjë, këneta? Nuk ka shans. Nuk mund ta humbë Shqipëria këtë moment. Është momenti kyç në historinë tonë. Ne duhet të jemi gati. Kemi bërë hapjen më të shpejtë të grup-kapitujve sepse po ja bëjmë hysmetin kësaj pune”, u shpreh Kryeministri Rama.
Më tej, Kryeministri është ndalur dhe tek procesi i anëtarësimit të Shqipërisë në BE, për të cilën ka thënë se jemi më afër pasi i kemi bërë detyrat.
“BE nuk bën dhurata dhe nuk bën politikë në këtë proces, por bën vetëm hesape, pastaj vjen politika. Politika përdoret për të penguar, jo për të nxitur dhe afruar. Kur i ke bërë detyrat dhe nuk ju vjen atyre përshtat, thonë nuk i ke bërë mirë dhe të lënë të presin. Ne jemi më afër se Ukraina se kemi bërë detyrat. Sot flitet më shumë për korrupsionin sepse është e analizuar se kur një vend dhe një shoqëri angazhohen në luftën kundër korrupsionit, rritet perceptimi i korrupsionit dhe e dyta, rezultatet objektive që arrihen mbulohen nga një zhurmë shumë e madhe. Nëse ka korrupsion, ku ka korrupsion? Korrupsion ka në garat për fondet, në tenderat. Ajo është një nga zonat më të prekura nga korrupsioni sepse bëhet fjalë për shpërndarjen e parasë. Shqipëria është e para në klasifikimin e prokurimeve publike në rajon. Kemi qenë ibret. Ku është tjetër? Është tek të gjitha ato radha për një certifikatë. Paguni Lekë për një certifikatë. Nuk ekzistojnë më të gjitha këto”, deklaroi Kryeministri Rama.