Një punonjës i policie në Kavajës është arrestuar pasi akuzohet se vodhi telefonin celular nga një makinë e përfshirë në aksident me pasojë vdekjen.
Sektori i Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat (SHÇBA) Tiranë ka ndaluar Baki Ballhysën, me detyrë Patrullë e Përgjithshme pranë pikës së bllokimit të automjeteve të sekuestruara, në Komisariatin e Policisë Kavajë.
Ballhysa, prej një muaji ishte nën hetim pasi dyshohej se gjatë ushtrimit të detyrës kishte marrë një telefon celular nga një automjet i përfshirë në një aksident me pasojë vdekje në datën 1 mars 2017.
Policia tha se nga hetimet e mëtejshme në bashkëpunim me Prokurorinë Kavajë u bë i mundur gjetja dhe sekuestrimi i telefonit, në përdorim nga punonjësi i policisë Ballhysa.