Jo vetëm rezultate modeste të futbollit në Shqipëri, por edhe një tjetër njollë e zezë.
Policia ka arrestuar të shtunën trajnerin e Kombëtares së Femrave, Armir Grimën me akuzën e trukimit të ndeshjeve. Grima ka qenë një ish-portier i klubit të futbollit Vllaznia.
Mes viteve ’98-2000 ai është aktivizuar gjithashtu me kombëtaren e futbollit në 4 takime.
Së bashku me Grimën, janë ndaluar edhe disa persona të tjerë, mes të cilëve, ish-portieri i Besëlidhjes Fabjol Rexhepi.
Arrestimi i tij erdhi gjatë operacionit për goditjen e grupit kriminal ‘Bajri’, i cili u zhvillua gjatë 24 orëve të fundit në Shkodër, Tiranë e Holandë.
Lajmi u bë i ditur nga vetë Policia e Shtetit nëpërmjet një deklarate për shtyp.
Kjo nuk është hera e parë kur lojtarë, apo ish lojtarë përfshihen në skema mashtrimi, pasi në një rast të ngjashëm është hetuar edhe Indrit Fortuzi, Altin Raklli dhe Renato Malota.
Indrit Fortuzi.
Ai dhe bashkëshortja e tij Jonida Fortuzi në cilësinë e administratores së një agjencie udhëtimesh akuzohen se mashtruan qytetarët, duke përfituar mijëra euro në këmbim të udhëtimeve.
Hetimet për çiftin Fortuzi nisën nga policia e Tiranës tre vite më parë aty ku u depozituan ndaj tyre me 10 kallëzime për mashtrime.
Prej tre vitesh ata rezultojnë se janë larguar jashtë vendit dhe ende mbetet mister destinacioni se ku qëndrojnë.
Altin Raklli
Prokuroria e Tiranës kërkoi dënimin me 7 vite burg për ish-futbollistin e Kombëtares shqiptare Altin Rraklli.
Ky i fundit akuzohet për veprën penale mashtrim me pasoja të rënda, për një shumë prej 150 mijë eurosh.
Nga kallëzimi penal ndaj tij, Raklli ka humbur gjurmët dhe dyshohet se është larguar jashtë vendit.
Renato Malota
Mes personave që u hetuan për tjetërsimin e pronave në bregdetin e Lezhës; ishte edhe futbollisti i Vllaznisë, Renato Malota.
Ndaj qendërmbrojtësit lezhjan u lëshua në fillim një urdhër-arrest, por disa ditë më vonë, vetë lojtari u paraqit në polici për të dhënë variantin e tij dhe nga gjykata u vendos hetim në gjendje të lirë.
Nuk kishte fakte të mjaftueshme për mua. Një vendim që ka ardhur ngaqë u konstatua se unë personalisht nuk kam asnjë firmë të hedhur në asnjë dokument për të cilin jam akuzuar dhe po ashtu, edhe certifikata e pronësisë nuk është tërhequr nga institucionet përkatëse. Po vërtetohet ajo që kam thënë prej fillimit se unë jam i pafajshëm në gjithë këtë histori.
/Reldar Dedaj– Opinion.al