Detaje të reja janë zbuluar nga krimi i rëndë i raportuar dje në Shënavlash, të Durrësit, ku djali ka vrarë babain e tij dhe ka hedhur në një pus trupin e pajetë të viktimës.
Mësohet se kasaforta e prerë me gur fresibël në pjesën e pasme të saj dhe që ndodhej në dhomën e Esmerald Ballës, ishin indiciet e para të hetuesve se pas zhdukjes së Enver Ballës fshihej diçka tjetër.
Që prej momenteve të para që Esmerald Balla bëri denoncim në polici, hetuesit i morën me rezerva deklarimet e tij dhe e mbajtën në vëzhgim.
Në deklarimet e para për kasafortën, hetuesit patën dëshmi kontradiktore në lidhje me çelësin, që herë thoshte e mbante babai e herë ai vetë.
Pasi kishte sajuar historinë se i ati kishte ikur me një grua, e cila i kishte shkuar në Instagram, policia vendosi t’i sekuestrojë celularin, tek i cili u ndërhy me ekspertë të IT.
Aty u zbuluan prova që zbërthyen ngjarjen. Përveç fotove të vajzave të gjetura në celular u gjet edhe një screenshot bisede: Një grua që i shkruante se kishte ikur me babain e tij.
Por nga hetimi u zbulua se i njëjti profil që i kishte shkruar ishte i tij, i hapur në celular, duke zbuluar mashtrimin.
I riu u mbajt për disa kohë në përgjim por ka qenë i kujdesshëm në komunikim. Hetuesit kanë dyshime të forta se ai nuk veproi vetëm dhe të ketë pasur edhe bashkëpunëtorë jashtë familjes.
Këta të fundit nuk dinin asgjë mbi fatin e babait, që u vra nga djali Esmeraldi dhe besuan historinë e sajuar të largimit me një grua.