Kandidatët për prokuror në shkollën e Magjistraturës janë mbledhur në protestë ditën e sotme.
Ata kërkojnë anulimin e fazës së parë të provimit.
Kjo kërkesë e tyre vjen një ditë pas provimit të zhvilluar në ndërtesën Poli i Drejtësisë.
Sipas tyre problemet kanë nisur që me orarin e zhvillimit të provimit, pasi fillimisht provimi ishte paralajmëruar për në orën 08:00 të mëngjesin, por ka nisur në orën 12:00.
Ata gjithashtu janë shprehur se gjysmë ore pas nisjes së tezës, pedagogët kanë tërhequr të gjitha fletët e provimit, duke shpërndarë një tezë tjetër.
Pas përfundimit të provimit, kandidatët janë futur brenda për t’u njohur me përgjigjet e testit, i cili skanohet nëpërmjet një pajisje të quajtur “Skantron”, nga e cila kanë dalë fitues 74 kandidatë nga 440 kandidatë në garë.
Por, një ditë më vonë pra ditën e sotme, Shkolla e Magjistraturës ka shpallur fitues 121 kandidatë nga 74 që u shpallën një ditë më parë me pretendimin se pajisja nuk ka funksionuar.
Kujtojmë se “Poli i Drejtësisë” shërben si godinë për Këshillin e Lartë të Prokurorisë, Këshillin e Lartë Gjyqësor dhe Shkollën e Magjistraturës.