Të huaj që jetojnë në Shqipëri nuk është habi, por padyshim që të bën të kthesh kokën kur ai identifikohet si shqiptar.
I tillë është dhe Donald Fa, nga Kameruni i Afrikës, i cili ka ardhur në studion e “Opinion” në Tv Klan me veshje tradicionale shqiptare, si dhe e quan veten dibran “dem baba dem”.
“Unë kam shumë shoqëri nga Dibra dhe Tirana. Ata më kanë mbajtur shumë afër, prandaj e quaj veten dibran dem baba dem”, u shpreh ai.
Ai tregon se erdhi në vendin tonë falë punës së tij. Shqipëria duket se “ia mori zemrën”, ndaj ai vendosi që të shpërngulet këtu.
Një prej ushqimeve të tij të preferuara shqiptare është ‘fërgesa tironse’, ashtu sikurse tregon se shëtit shpesh rreth zonës ku ai jeton për t’i marrë më të mirën e këtyrev vendeve.
Siç shprehet Fa, pjesa më e madhe e popullsisë së Kamerunit nuk e njohin Shqipërinë dhe ai ua portretizon si një vend shumë të qetë e bukur. Por, edhe ata që e njohin Shqipërinë në Kamerun, vjen për shkak të futbollit, teksa Fa e lidh me figurën e Lorik Canës.
“Ata e njohin Shqipërinë nga ana e futbollit, nga ana e Lorik Canës. Ata e dijnë Shqipërinë vetëm nga Lorik Cana. Shumë shpesh kur flas me ndonjë shok, më thonë ku je, u them në Shqipëri. Më thonë ku i bie kjo Shqipëri”, tha ai.














