Nga Blendi Fevziu –
Sam qëndron përpara nesh me një vështrim lutës e njëkohësisht të vendosur. Na sqaron se me 90 usd do të qëndrojë në dispozicion për 24 orë me makinë e tij dhe shton se ajo që do të shohim është më shumë se magjike. Fjalën magjike e shqipton me një theks të vërtetë britanik edhe pse anglishtja e tij është e limituar.
– Makina është më ajër të kondicionuar dhe nuk do të keni vapë, bën përpjekjen e fundit, i bindur se në atë nxehtësi përvëluese, ajri i kondicionuar është më magjik se sa vetë fjala që shqipton ai.
Ndryshimi i klimës është dallimi i parë mes Vietnamit dhe Kamboxhias. Në vetëm një orë e pak fluturim, klima e freskët e Hanoit, ku në darkë ke nevojë për një xhaketë zëvendësohet me nxehtësinë mbytëse të Siem Riepit. Peizazhi ka ndryshuar rrënjësisht dhe fushat e mëdha dhe të zhveshura janë zëvendësuar me drunjtë e lartë dhe shekullorë të pyllit. Një xhungël e dendur dallohet anash tempujve antikë, një pjesë e të cilëve janë ndër të rëndësishmit e historisë njerëzore.
Siem Riep është padyshim qyteti më i rëndësishëm turistik i Kamboxhias dhe ndër 15 më të rëndësishmit e globit. Aty ngrihet Angkor Ëat, tempulli më i madh i botës, që zë një sipërfaqe prej 166 hektarë dhe shihet ende si një ndërtim magjik. Rreth tij, lartohen mbi 200 tempuj të tjerë. Majat e tyre të nxira dhe të lëmuara nga koha dhe vitet, krijojnë një kartolinë magjike në prag të perëndimit të diellit.
Aeroporti është një ndërtim i ri, mjaft i ngjashëm me ato tipike Kamboxhiane. Një ndërtesë një katshe, me çati kashte dhe imazhet e tempujve të stampuar në muret e bardha. Një lloj aeroporti i ngjashëm me atë që kisha parë në ishullin Praslin të Seishellit apo në Punta Cana të Republikës Domenikane.
Fotografia e Norodom Sihanukut është imazhi i parë familjar që më shfaqet sapo kalojmë traun e aeroportit. Duket më i plakur se në fotot e vjetra të Enver Hoxhës, ku të dy bashkë, ecin në Parkun e Pallatit të Brigadave në Tiranë. Zoti e di se si u lidh miqësia mes Mbretit Kamboxhian dhe diktatorit komunist shqiptar, por emri i tij na kishte ndihmuar atë mëngjes për të shmangur jo pak andralla burokratike. Në mesditë, kur kishim mbërritur në Ambasadën kamboxhiane në Hanoi, në një rrugë tipike koloniale, plot vila të mrekullueshme të viteve ’30 – ’40, vumë re se ishim jashtë orarit. Nga ora 10 deri në 14 ishte pushim dhe ne kishim mbërritur aty fiks në orën 10:30. Avioni ynë nisej në 15:00 dhe nuk gjenim asnjë mundësi se si të vendosnim mbi fletën e paraportës së Republikës së Shqipërisë, vizën Kamboxhiane. Po ja shpjegonim këtë me gjithë gjuhët e mundshme një ushtari vietnamez, një djali fare të ri, gjesti i vetëm i të cilit ishte tregimi me gisht i orareve të stampuara mbi një pllakë bronzi. Të lodhur nga komunikimi i vështirë, i shqiptova fjalën që në vende të tilla, ka një efekt magjik: Delegacion, delegacion!
Vite më parë në Kinë, roja i Pallatit Mbretëror të Qytetit të Ndaluar, na kishte hapur derën krejt jashtë orarit të vizitave sapo i kisha shqiptuar një fjalë të tillë dhe një tjetër i punësuar aty, na kishte bërë një guidë të plotë, pa na pyetur as nga cili vend vinin dhe as çfarë delegacioni ishim. Funksionoi edhe këtë herë. Ushtari shtyu derën me një lloj hezitimi dhe pa pasur mundësi ta mendonte dy herë ne ishim tashmë në oborr.
Ambasada e kamboxhias nuk dallonte shumë nga ambasadat e gjithë vendeve të vogla, përfshi tonat. Pasi shtymë disa dyer dhe kaluam në disa korridore pa sukses për të gjetur njeri, na doli përpara një burrë i vogël, që me habi, por edhe me bezdi dëgjoi gjithë ankesat tona për orarin e keq të vizave dhe avionin që na ikte. Kudo në perëndim diplomati do të na kishte treguar derën, ndërsa Kamboxhiani i hutuar vijonte të hezitonte. Së paku deri atë moment kur gjithë xhentilesë unë i shpjegova se Mbreti Norodom Sihanuk kishte qenë shumë herë mik në Shqipëri dhe se ne do shkonim tani të vizitonim vendin e tij. Diplomati u dorëzua. Fshiu duar me një picetë letre, la mbi tavolinë pa përfunduar ushqimin e tij tradicional, një lloj supe që e shihja kudo në rrugët e Hanoit, mori pasaportat dhe u zhduk në një nga dyert anësore. Zyra ishte e rrëmujshme dhe në një varëse qëndronin 3 – 4 kravata të lidhura, gati për ti vendosur në këmishë. Diplomati u kthye pak minuta më vonë, duke na lënë në dorë vizat dhe një fletëpalosje për Kamboxhian, ku në vend të tempullit të famshëm të Angkor Ëat – it, vendin kryesor e zinte fotoja e Sihanukut, po kësaj here djalit.
Udhëtimi nga Hanoi në Siem Riep zgjat afro 1 orë e 20 minuta, pothuajse aq sa zgjat edhe udhëtimi nga Tirana në Vienë. Avionët e Vietnam Airlines janë të gjithë plot dhe shumica e udhëtarëve janë turistë perëndimorë që duan të vizitojnë një ndër tempujt më të famshëm të globit.
Siem Riep është një qytet i vogël, i cili me shumë se me të sotmen, jeton me lavdinë e së shkuarës. Një qendër e rëndësishme e Indokinës Franceze, ai shtrihet ekzakt në mes të dy vendeve të mëdha, Tailandës dhe Vietnamit. Rruga qëndrore e qytetit është ende e pashtruar mirë, ndërsa rrugët dytësore, humbasin të gjitha mes pemëve gjigande dhe nën qerret me buaj po kaq imponues. Duket sikur qyteti ka vetëm një rrugë, aty ku turistët, përplasen në restorantet piktoreskë dhe në dyqanet që shesin lëkura krokodili. Krokodilët janë aq të pranishëm në zonë dhe shumë prej fshatarëve i kultivojnë ata për t’jua shitur më pas kompanive të famshme perëndimore të që prodhojnë çanta dhe aksesorë luksi me lëkurën e tyre. Në periferitë e qytetit, thuajse në fund të rrugës qëndrore të dominuar nga dyqanet me çikërrima kineze, shtrihen disa nga hotelet luksoze, shumica brende të famshëm në botë. Më i njohuri prej tyre është Grand Hotel Angkor, i ndërtuar në vitin 1932, në kohën që Siem Riep kishte filluar të ndërkombëtarizohej dhe në Indokinën Franceze nisën të shfaqen personazhe të famshëm nga e gjithë bota, midis të cilëve, Andre Marlo, Çarli Çaplin e më vonë, Sharl De Gol, Zhaklinë Kenedi apo Mishel Obama. I marrë sot nga Raffles International Hotel ai vijon të ruajë gjithë shkëlqimin e kohës kur u ndërtua, duke përfshirë edhe mobiljet origjinale. Në hollin e ndriçuar zbehtë, një pianist luan me ngadalë muzikë franceze, ndërsa kamarierët me veshje tradicionale kmere, shërbejnë me ngadalë me atë përkuljen e lehtë. Në Azi, ndryshe nga çdo vend tjetër i botës, shërbimi është një filozofi dhe ritual më vete.
Grand Hoteli duket sikur i takon më shumë të shkuarës se sa të sotmes kamboxhiane. Ai të kujton shumë hotel Dajtin që i ndërtuar në vitin 1940 simbolizonte Tiranën e së shkuarës më tepër se sa atë komuniste. Ashtu si edhe tek ne Kamboxhia ndahet në dy kohë. Shekulli i 20 – të është shënjuar fort prej tyre.
E para është ajo e Kamboxhias koloniale. Së bashku me Vietnamin, Laosin dhe një pjesë të vogël të Tailandës së sotme, Kamboxhia përbënte deri në mes të viteve ’50 – të, Indokinën Franceze. Franca ka lënë gjurmë të forta në kulturën dhe stilin kamboxhian të jetës. Por ajo la po ashtu një trashëgimi të problematike, që do të kthehej në ankthin e Kamboxhias për vite me rradhë. Bashkë me kolonializmin ajo solli nga Franca edhe një grup studentësh kamboxhianë, që të diplomuar në Paris, u rikthyen në vendlindje të formuar me idetë komuniste. Identik si Enver Hoxha në Shqipëri. Njëri prej tyre ishte Pol Poti, që arriti të bëhet Kryetar i Partisë Komuniste të Kamboxhias dhe lideri i Kmerëve të Kuq. Më 1975 ai i erdhi në pushtet dhe për katër vjet që qëndroi në krye të Kamboxhias, deri më 1979, vrau në kampet e punës dhe në burgje thuajse 1/3 e popullsisë së vendit. Mendohet se ai shfarosi afro 2 milion njerëz, ndërkohë që thuajse po kaq vuajtën në burgje dhe persekutime të frikshme.
Kur e pyes për Pol Potin, Sam bëhet befas i heshtur, por edhe i trembur. Pol Poti ka 36 vjet që ka ikur nga pushteti. Vdekja e gjeti në një fshat të harruar në xhungël në 1998, por frika që ngjall emri tij sundon sërish.
– Eshtë e vërtetë që ai vrau gjithë intelektualët dhe ata që nuk ishin punëtorë apo fshatarë? – Pyes Samin?
Djali tund kokën si në një gjysëm aprovimi dhe shton pikërisht atë që kisha dëgjuar shumë herë në fëmijërinë time në Tiranë por që se kisha besuar kurrë. Zakonisht Pol Poti kishte dy mënyra për t’i identifikuar intelektialët. Ai vriste ata që mbanin syze dhe dinin gjuhë të huaja.
Sam më tregoi se në katër vitet e tij gjithë qytetet u zbrazën. Popullsia u transferua në fshat ku punonte në orizoret që prodhonin oriz për Kinën. Qytetet u shndruar në fantazma ndërsa fushat e fshatrave u mbushen me tenda ku banonin familje të tëra që punonin në oriz. Ndër gjithë masakrat e botës, ajo e Kamboxhias është padyshim më e pashpjegueshmja.
Sam më sqaroi atë që dija. Pol Poti ishte rrëzuar nga pushteti pasi Vietnami pushtoi Kamboxhian në vitin 1979. Në atë kohë Kina sulmoi Vietnamin dhe gjithë zona hyri në një luftë pa sens. Ishte lufta e dytë pas asaj që Vietnami, por edhe Kamboxhia kishin bërë me amerikanët. Kur Vietnami u mund nga Kina ushtria e tyre iku, por shumë ushtarë vietnamezë që jetonin në vendin e tyre në kushte shumë të këqia nuk u kthyen. Ata qëndruan këtu dhe thuajse gjysma e Siem Riepit përbëhet nga Vietnamezë që janë vendosur këtu 35 vjet më parë, më tha Sem. “Pushtuesit” vitnamezë dhe vendasit kamboxhianë dukej se kishin gjetur një harmoni që i kishte munguar qytetit prej shekujsh. Edhe pse shenjat e plumbave të betejave te tyre dalloheshin ende në muret magjepës të Angkor Ëatit.
Vetë tempulli ngrihet buzë rrugës që lidh qytetin me aeroportin, thuajse 5 km larg prej tij. Koha më e bukur për ta vizituar është muzgu. Dielli sapo ka perënduar duke lënë një fashë të kuqe në horizont ndërsa maja e kullës kryesore të tempullit dhe palmat e larta janë të vetmet konture që e vizatojnë atë.
Çdo lexim për tempullin e famshëm nuk mund të ta japë kurrë madhështinë e tij. I rrethuar nga një liqen, muret e tij, 3.2 kilometra të gjata fshehin një prej mrekullive të botës. Një ndërtim që bashkë më oborret shkon afro 1.6 milion metra katrore. I ngritur me afro 10 milion blloqe guri që peshojnë 1.5 ton secili Tempulli është unik në botë. Sam na sqaron me anglishten e tij hundore atë që e gjen edhe në guida. Që ai ka më shumë gurë se gjithë piramidat e Egjiptit bashkë dhe më shumë se sa qyteti i sotëm i Parisit.
– Ndërtimi i tij ka nisur në vitin 1113, thuajse 900 vjet më parë dhe zgjati vetëm në fazen e parë 47 vjet. – Sem sqaron sërish një gjë që guidat nuk e thonë. Ai tregon se ky është i vetmi ndërtim në botë që ka nisur nga lart poshtë. Meqenëse gurët nuk i ngjisnin dot aq lart, ndërtuam një kodër 200 metra të lartë dhe aty nisën të ngrenë majën e tempullit. Pastaj hiqnin tokën dhe ndërtonin katin nën të.
Më duket më shumë një përrallë e bukur nga ato që befasojnë turistët se sa dicka reale, por guida befason sërish.
– E di përse rreth tempullit është ngritur ky liqen dhe murë 3 km?
– Jo, i them!
– Sepse punëtorët që e ndërtonin duhet të rrinin aty. Gjatë ditës ju çonin ushqim ndërsa natën flinin në çadra bambuje. Që të mos iknin tempullin e rrethuan me një liqen dhe liqenin e mbushën me krokodilë. Nuk kishte asnjë urë dhe varkat lidheshin në anën tjetër. Kush tentonte të largohej binte pre e krokodilëve!
– Sa veta punuan këtu, e pyeta?
– Më shumë se 400 mijë – m’u përgjigj Sem.
Tempulli ka një formë katrore. Më shumë se sa një tempull është gati një qytet i tërë. Në mes të tij lartohet një kullë 186 metra e lartë, shkallët e pjerrta të së cilës thuajse janë lëmuar dhe janë bërë të pangjitshme nga koha dhe erozioni. Në vend të tre kanë ndërtuar një strukturë të re metalike dhe ngjitja në majë të jep një pamjë mbresëlënëse.
Nuk ka asgjë normale në këtë ndërtim që prej shekujsh është simboli më i rëndësishëm i Kamboxhias. Vite e vite, vizatimi i tempullit ishte të flamurin e mbretërisë dhe Siem Riep, kryeqyteti i saj. Ende sot mbetet atraksioni kryesor turistik i vendit me afro tre milion vizitorë në vit. Ai ju shfaqet turistëve magjepës, pas pemëve të larta, disa prej të cilave kanë futur rrënjët thellë në themelët e tempujve më të vegjël. Është një imazh familjar, për arsye të filmit, “Ms and mister Smith”, xhiruar po këtu me Anxhelina Zholi dhe Brad Pit.
Për shumë e shumë vite tempulli humbi në mes të pyllit të dendur, në mes të asgjësë. Sipas dëshmive, i pari vizitor perëndimor ishte një murg portugez, që mbërriti në Siem Riep në vitin 1586 dhe quhej Antonio De Madalena. Një udhëtar i famshëm dhe mjaft popullor në Europë, ai ka lënë dëshminë e vetme për tempullin që e përshkruan kështu:
“Është një ndertim kaq i jashtëzakonshëm sa nuk mund të përshkruhet me shkrim, aq më shumë nga fakti që nuk i ngjan asnjë ndërtimi tjetër në botën që unë njoh. Ka kulla dhe dekorime, që vetëm një ndërtues gjeni mund t’i arrijë…”
500 vjet më pas Tempulli ruan po atë magji. 900 vitet e ekzistencës e kanë dëmtuar fare pak. Ose jo aq sa të bjerë në sy. Edhe pse kronikat thonë që më shumë se sa luftrat, më shumë se sa predhat e betejave Kamboxhiano – Vietnameze, atë e kanë dëmtuar hajdutët që në vite kanë rrëmbyer shumicën e statujave të gdhendura në kollanat madhështore. Sidomos hajdutët që në kaosin e viteve ’80 – ’90 vinin nga Tailanda si turistë për këtë qëllim. M’u kujtua që një prej tyre ishte edhe Andre Marlo, që kamboxhianët e akuzonin se kishte vjedhur disa nga thesaret e trashëgimisë së tyre. Nuk e di se sa e vërtetë ishte kjo, por rrugës po e mendoja sërish historinë e tij. Ecnim nëpër një xhungël të denduar, buzë lumit. Duket sikur pemët do të zhytëshin brenda tij dhe aty këtu, ngjanin sikur do bllokonin rrugën e pluhurosur. Anës saj ecnin fshatarë të cfilitur dhe qerre me buaj. Ishte një pamjë aq familjare me fshatrat shqiptarë të fund viteve ’80 – të. Në disa prej qerreve qenë ulur mes jastikësh të butë turistë entuziastë. Kishin udhëtuar me mijëra kilometra, ashtu si ne, për të zbukuar në xhunglën e humbur të atij vendi po kaq të harruar, një nga mrekullitë që njerëzimi kishte lënë si trashëgimi…
Blendi Fevziu