Tubimin e mbajtur në Madison Square të Nju Jorkut, kandidati republikan për presidencën, Donald Trump, e shfrytëzoi për të përcjellë ato që i cilësoi si argumente përmbyllëse të fushatës së tij.
Por ato që pjesëmarrësit dhe e gjithë Amerika dëgjuan, ishin një seri mesazhesh fyese, raciste dhe vulgare, mbase me te fortat e artikuluara deri më tani.
Vetëm një javë parazgjedhjeve, Trump dhe të tjerët që folën në mbështetje të tij, e cilësuan Porto Rikon si një ishull me plehra, e krahasuan zv.presidenten Kamala Harris me djallin, dhe thanë se ajo që synonte të bëhej e para president grua dhe me ngjyrë, e kishte nisur karrierën e saj si prostitutë.
Trump foli për planet e tij për të ndaluar emigracionin e paligjshëm dhe për të deportuar ata që i përshkroi si kriminelë të neveritshëm dhe gjakpirës.
“Nën drejtimin e Kamalës, Amerika është kthyer në një strehë kriminelësh dhe alienësh të paligjshëm që kanë pushtuar vendin tonë. Ajo është e paaftë të udhëheqë, të gjithë e dinë. Askush nuk e merr seriozisht, pasi e dinë që e ka IQ shumë të ulët”, tha Trump.
Komediani Tony Hinchcliffe përdori gjuhë të rëndomtë kur tha se Latinët, “vdisnin të bënin fëmijë” dhe e quajti Porto Rikon si një ishull lundrues të mbushur me plehra, duke ju referuar popullsisë atje.
Deklarata nxiti reagime të ashpra, përfshirë nga këngëtari portorikan Riki Martin, i cili postoi një klip me komente në Instagram, duke thënë “ja se çfarë mendojnë për ne”. Një përfaqësuese e fushatës së Trump tha se shakaja e komedianit nuk reflektonte pikëpamjet e Trump.
Gjatë tubimit në Nju Jork, në mbështetje të Trump folën gjithashtu ish-kryebashkiaku i nju jorkut, Rudy Giuliani dhe djemtë e Trump, Eric dhe Donald Jr.