Udhëheqësi çeçen Ramzan Kadyrov, i cili është angazhuar në luftën e Ukrainës ka reaguar për zhvillimet e fundit në Rusi, ku mercenarët e grupit Wagner kanë nisur kryengritjen e armatosur, duke marrë kontrollin e qytetit Rostov.
Pak pas fjalimit të Vladimir Putin që iu drejtua kombit duke e konsideruar lëvizjen e Yevgeny Prigozhin një “thikë pas shpine për Rusinë” dhe premtoi ndëshkim për tradhtarët, Kadyrov i ka dalë në krah kreut të Kremlinit.
Në deklaratën e shkurtër të tij për përplasjen midis Wagnerit dhe ministrisë së mbrojtjes së Rusisë, Kadyrov thekson se ai dhe ushtarët çeçen janë të gatshëm të ndihmojnë Moskën për shuarjen e kryengritjes së Wagner.
Kadyrov shprehu gatishmërinë që të përdorin edhe metoda të ashpra nëse është e nevojshme. Ai njëjtë si Putin e quajti sjelljen e Prigozhin “një thikë pas shpine” dhe u bëri thirrje ushtarëve rusë që të mos dorëzohen para asnjë provokimi.