Juliana dhe bashkëshorti i saj Altini kanë 11 vjet të martuar dhe disa vite më shumë së bashku. Në gjithë këto vite, ata janë kudo bashkë: në shtëpi, në skenë, në ҫdo projekt të ri muzikor… Qysh në vitet e para të lidhjes, të dy e kuptuan se jeta i kishte bashkuar për të qenë gjithmonë bashkë. Altini është suporti kryesor i Julit. Ai ka kompozuar edhe këngë për të dhe është gjithmonë pas ҫdo projekti të ri të saj.
Por si është jeta kur bashkëshortët janë në të njëjtin profesion? A nuk krijon bezdi kjo gjendje ndonjëherë? E pyetur për këtë në programin “Rudina”, Juliana përgjigjet: “Jo, në asnjë mënyrë. Është ndihmë e madhe, lehtësim shumë i madh. Unë nuk bëj dot asgjë, nëse Altini nuk është me mua. Është ai që kur jemi në skenë, më ndihmon për të bërë këngët e duhura, është ai që kur bëhet një këngë e re, më jep sugjerimin për gjithҫka. Ai e di shumë mirë se ҫfarë më rri mua më mirë dhe e di mjaft mirë se ҫfarë do të doja unë…” – tregon Juli duke shtuar se nëse nuk do të ishte Altini, suksesi i saj nuk do të ishte njëlloj.
Historia me Altinin ka nisur në vitin 2002, 15 vjet më parë. Rastësi apo jo, ishte muzika ajo që i bashkoi dhe tingujt ata që i dashuruan: “Ne jemi njohur me muzikën në një nga lokalet ku punonim bashkë. Altini ishte pjesë e një grupi muzikor, i cili në atë kohë, përveҫ dy këngëtarëve, po kërkonte edhe një vajzë. Mua më ra mua shorti të bëhesha pjesë….” – tregon Juli duke kujtuar me nostalgji që në atë kohë, pasi ishin pëlqyer, bënin ҫmos që të uleshin gjithmonë afër. Por, natyrisht, dashuria do të lindte nga tingujt: “I ramë në sy njëri-tjetrit me tinguj, aty na lindi dashuria e parë. Më vonë, gjenim gjithmonë justifikimin për t’u ulur pranë njëri-tjetrit”, derisa…. erdhi puthja e parë: “Puthja e parë ndodhi në prapaskenën e vendit ku bënim muzikë live. Aty më ka puthur për herë të parë…” – tregon Juli.
Vite më vonë, dy muzikantëve, pa dyshim, do t’i bëhej pjesë e historisë edhe kolona zanore e dashurisë së tyre. Në fillimet e lidhjes, kur Juli këndonte “For Your Love” nga Stevie Wonder, edhe Altini bëhej pjesë e këngës me zërin e dytë. Pas asaj kohe, Juli dhe Altini vazhdojnë ta këndojnë për njëri-tjetrin “For Your Love”, por edhe për të gjithë dashamirësit e muzikës së tyre./revistaclass