Sali Berisha sot i bëri thirrje kryeparlamentarit Niko Peleshi që të pranojë mocionin për shkarkimin e tij nga detyra, të paraqitur nga grupi parlamentar i PD.
Kreu i selisë blu madje e paralajmëroi Peleshin se do të ketë fatin e ish-kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, duke përmendur edhe protestat para Parlamentit si opsion, deri në largimin e tij nga posti.
“Dua t’i them atij Peleshit, mos e shtyj më mocionin ndaj teje se do ta kesh njëlloj siç pati Erioni protestën, ti do kesh mocionin. Zgjidh e merr. Opozita nuk tërhiqet nga të drejtat e saj kushtetuese. Edhe Erioni u përpoq me të gjitha mënyrat që të shkurajonte protestën, por më kot. Tani i them Peleshit, ose respekto të drejtat kushtetuese të opozitës, ose do jesh Erioni bis. Më keq bile, se Erioni nuk rrinte, ia mbathte nga bashkia kur rrethohej, kurse ti nuk ke ku shkon. Do të kërkojmë llogari një më një. Prandaj bëje mocionin. Nxirr mësime, përndryshe ti do kesh çdo javë një mocion gjersa të zbatosh rregulloren e parlamentit dhe Kushtetutën. Gjersa të zbatosh vendimet e Gjykatës Kushtetuese. Por këta nuk kanë Kushtetutë”, tha Berisha.
Teksa mobilizonte grupin e vetë parlamentar për aksionin në Kuvend, Berisha shtoi se fatin e Peleshit do ta ketë edhe Presidenti Bajram Begaj. Duke e cilësuar Kreun e Shtetit si një vasal të Ramës, Berisha tha se ai e fshihte poshtë tavolinës dekretin për zgjedhjet e 9 nëntorit.
“Edhe mocioni ndaj atij vasalit të Ramës, duhet ta bëjmë. Ai është një figurë kukull. Ajo bëhet vetëm për postin e presidentit, se për një kukull nuk ia vlen të ndërmarrësh asnjë lloj veprimi. Por ne e ndërmarrim në respekt të institucionit të presidentit, që duhet të jetë një institucion që të mbrojë Kushtetutën. Se një ditë futet nën tavolinë, më tha stafi, ditën tjetër thotë në emër të shtetit. Çfarë shteti mor? Ti je një vasal që turpëron shtetin. Prandaj edhe ajo duhet të jetë pa diskutim në rendin e ditës sikundër interpelanca me kreun e narkoshtetit dhe qeveritarët”, u shpreh Berisha.