Një tjetër ish-oficer i antidrogës vendos të rrëfejë implikimin e zyrtarëve të lartë të policisë në çështje të trafikut të drogës dhe raportet me Habilajt. Pas Dritan Zaganit dhe Antonio Nazerajt, është Bledar Naçi, që në një intervistë për gazetarin Basir Çollaku rrëfen detaje që lidhen me ndalimin e Habilajve dhe kërcënimin që morën nga këta të fundit. Naçi ka marrë pjesë në aksionin për ndalimin e Moisi Habilajt në komisariatin e Fierit dhe njësoj si shokët e tij ka përfunduar në burg, pas kërcënimeve që i bënë Habilajt.
Në një intervistë të gjatë për “Gazeta Shqiptare”, Naçi rrëfen se si “Audi” AA003GB kundërshtoi kontrollin dhe i iku postbllokut të policisë. Më tej, ata u shoqëruan, megjithëse kërcënuan efektivët e policisë. “Do ta shikoni ça do ju bëjmë, është makina e ministrit”, rrëfen Naçi përplasjen me Habilajt. Pas këtij incidenti, njësoj si shokët e tij, Naçi u akuzua se i kishte marrë 10 mijë lekë të reja një personi, që sot rezulton i dënuar për disa vepra penale.
Një vit pasi Bledar Naçi bashkë me efektivë të tjerë si Antonio Nazeraj dhe Dritan Zagani ndaluan “Audi”-n që përdornin vëllezërit Habilaj, për të gjithë skuadrën nisën problemet. Vlen të përmendet se Bledar Naçi, dikur pjesë e antidrogës ka qenë dekoruar nga ish Ministri i Brendshëm.
***
“Bledar, djem si ti i bëjnë nder policisë. Sot je shembull për të gjithë efektivët e Policisë së Shtetit”. Këto fjalë i ka shkruar Saimir Tahiri në tetor 2013, pasi oficer Bledar Naçi shpëtonte një vajzë 9-vjeçare nga rrëmbimi. Ky polic u quajt hero nga ish-ministri i Brendshëm.
Një vit më pas, pasi Bledar Naçi bashkë me efektivë të tjerë si Antonio Nazeraj dhe Dritan Zagani guxuan dhe ndaluan “Audi”-n famëkeq të vëllezërve Habilaj, nisi tatëpjeta për të gjithë.
“Gazeta Shqiptare” sjell sot pjesën e parë të intervistës me ish-efektivin e policisë, Bledar Naçi (sot ndodhet në një vend të BE), i cili është dekoruar dhe përgëzuar nga kryeministri Edi Rama dhe ish-ministri Saimir Tahiri.
Bledar Naçi një oficer policie i dekoruar nga kryeministri dhe ministri i Brendshëm, për çfarë jeni dekoruar?
Jam dekoruar nga ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri dhe kryeministri gjithashtu, në datë 12 tetor 2013, për rezultate të larta në punë.
Jeni ndër të paktët e dekoruar?
Mund të them se jam i pari i dekoruar nga ish- ministri, kam qenë i ftuar dhe falënderuar personalisht nga ministri dhe kryeministri i vendit.
Në zyrën e tij?
Jam ftuar në zyrën e kryeministrit në datën 12 tetor dhe gjatë prezantimit të 12 drejtorëve të rinj të qarqeve dhe drejtorit të përgjithshëm të policisë në atë kohë, Artan Didi.
Por pas disa muajsh, nga i dekoruar për sakrificë në punë, ju u deklaruat nga kryeministri dhe ministri në trafikant, kriminel, ordiner, si u shndërruat kaq shpejt?
Nuk më ka pëlqyer të prononcohem shumë nëpër media, por duke marrë shkas nga emërtimi që më ka bërë zoti kryeministër me fjalët ordiner, kriminel trafikant, dua t’i them zotit kryeministër se unë quhem Bledar Naçi dhe jam djali i dy prindërve punëtorë, që kanë qenë anëtarë dhe kontribuues në Partinë Socialiste nga vitit 1991 dhe kanë qenë ndër themeluesit e saj në Frakull të Fierit dhe dua që të mendojë se për këtë intervistë kam qenë i shtyrë, shitur apo paguar nga të tjerë persona. Dua t’i kujtoj në radhë të parë se kam qenë një punonjës i thjeshtë në Policinë e Shtetit dhe kam punuar nga vitit 1999 deri më 2 maj 2014, datë në të cilën jam arrestuar. Por, kjo nuk i jep të drejtë atij të emërtojë me fjalët, ordiner, hajdut, bandit.
Sepse ju nuk jeni dënuar nga gjykata për këto vepra që ju akuzon kryeministri?
Absolutisht jo. Për kryeministrin është më e lehtë të besojë një trafikant të qenieve njerëzore dhe fëmijësh, që ka qenë dhe i skeduar nga ana jonë në fushën e narkotikëve, se sa të besojë tre ish-punonjës policie, që kanë punuar shumë vite në Policinë e Shtetit.
Nga dekorata, te këto emërtesa…
Dua t’i kujtoj edhe një herë z. zryeministër se pasuria e vetme ime janë dy dynym tokë sipas ligjit 7501 dhe kam jetuar në shtëpi me qira e jo në ndonjë vilë, si mund të mendojë ai. Këto mund të verifikohen.
Dhe..
Dua të shtoj akoma se gjatë punës kam kaluar sasi të ndryshme e të shumta të drogës së kapur, drogë të llojeve të ndryshme dhe më janë ofruar të bashkëpunoj me trafikantëtë, oferta nga trafikantë të ndryshëm, por nuk jam shitur dhe këto sasi droge janë sekuestruar e personat janë arrestuar.
Të mbetemi edhe një herë këtu, ka pasur përpjekje nga trafikantët për t’ju korruptuar ju dhe kolegëve tuaj?
Po, pikërisht. Më janë ofruar edhe sasi të ndryshme parash.
Sa?
Për të favorizuar persona të ndryshëm.
Nëse mund të themi raste, sa ju janë ofruar?
Sasitë kanë qenë të ndryshme, varet nga sasitë që kemi kapur dhe rrezikshmëria e veprave penale të personave që kemi kapur; qoftë persona në kërkim, që ishin me dosje apo për favorizim trafiku të lëndëve narkotike.
Deri ku kanë shkuar me ofertat e tyre?
Dua të them se më kanë ofruar mbi 50 mijë euro për të bashkëpunuar dhe favorizuar trafiqet në qarkun e Fierit.
Dhe si keni vepruar?
Absolutisht jo.
I ndaluat?
Nuk i kanë ofruar vetë direkt, por indirekt me persona të ndryshëm, nuk vinin vetë ata.
Jeni dekoruar dhe më pas arrestuar, çfarë ka ndodhur saktësisht që ju përfunduat në qeli, ta saktësojmë e qartësojmë me detaje?
Po jua shpjegoj se si ka ndodhur arrestimi im dhe ngjarja konkrete, që ndikoi në arrestin tim dhe kolegëve të mi, Antonio Nazeraj dhe një koleg tjetër. Jam akuzuar nga një person, që quhet Mikel F..
Dhe që është?
Aktualisht ky person është i burgosur në Fier për vepra penale të trafikut të qenieve njerëzore, trafik fëmijësh, e prostitucioni…
Ky është një nga akuzuesit tuaj?
Ky është një person i përdorur nga SHKB për të ngritur këtë kurth ndaj meje dhe kolegëve të mi.
Vetëm ky?
Personi ka qenë karremi le të themi, që është përdorur, por nxitësit kanë qenë të tjerë. Sepse historia nuk është vetëm nga SHKB e Fierit, por nxitësit janë lart.
Ku lart?
Lart në qeveri. Unë jam arrestuar me urdhër të Saimir Tahirit dhe të askujt tjetër.
Si e provoni ju që jeni arrestuar me urdhër të Saimir Tahirit, keni fakte, dëshmi, argumente?
Po ju tregoj ngjarjen. Personi që më ka akuzuar ju thashë se quhet Mikel F., që është në burg i dënuar për ato vepra që ju përmenda. Por nuk është i vetëm, sepse është ndihmuar edhe nga një oficer policie jo i SHKB, i cili është oficer policie në qarkun e Fierit, por që para disa vitesh ka qenë person i dënuar për drogë.
Ku e bazoni këtë, keni parë vendime, shkresa, apo keni thjesht informacion?
Këtë person ne e dimë mirë që ka qenë i dënuar me vite burg për trafik droge dhe është futur tashmë në Policinë e Shtetit.
E dinë edhe eprorët tuaj këtë informacion?
Po, patjetër që e dinë.
Emri i tij?
Tani emri i personit është i qartë, se është thënë jo vetëm nga unë, por edhe nga kolegët e tjerë.
Pra, ju pretendoni se dy njerëz të dënuar për trafik janë përdorur kundër jush?
Doja të sqaroja se si ka qenë ngjarja dhe se si është bërë montazhi i saj. Mikel F. (tregon emrin e plotë) ka qenë i dënuar dhe kishte detyrim paraqitje një here në javë në sektorin e luftës kundër krimit të organizuar dhe trafiqeve, ku duhej të paraqitej pranë një oficeri të caktuar për këtë mbikëqyrje. Ne e njihnim se ishte kontingjent.
Dhe çfarë ka ndodhur?
Një natë kemi qenë me shërbim, unë, Nazeraj dhe kolegu tjetër i sektorit tonë, por edhe punonjës të tjerë të policisë të sektorit të trafiqeve, nuk ishim vetëm ne. Ky person është ndaluar nga unë, Nazeraj dhe kolegu tjetër. Ishte me një mjet “Audi”, është kontrolluar dhe kishte bidonë që transportonin lëndë djegëse, benzol, që përdorin skafet dhe gomonet.
Ky që ju akuzoi?
Po, ky person, Ferko. Ne e ndaluam dhe e kontrolluam, sepse kishim dyshimet tona dhe informacione se ishte duke tërhequr dhe furnizuar skaf me karrel. Këtë informacion e kishim nga burimet tona, ndaj e kishim në mbikëqyrje. Atë natë e kemi ndaluar dhe nuk gjetëm gjë veç bidonëve me benzol, si ai që përdorin skafet. Nuk është pyetur shumë për të mos e bërë të dyshonte se e kishim në vëzhgim.
Pastaj?
Rezultoi se ishte pa leje drejtimi. Unë kam marrë sallën operative dhe e kam pyetur për verifikim nëse kishte vepra të tjera penale apo ishte në kërkim.
Si iu përgjigjen?
Më thanë se personi është person me probleme që paraqitet te trafiqet, por është pa leje drejtimi, që ishte e bllokuar në Lezhë.
Si vepruat?
Kërkuam nga salla të dërgonin një patrullë policisë rrugore, sepse personi ishte pa patentë dhe u larguam për të mos e bërë të dyshonte dhe të vazhdonim ta ndiqnim. Kjo ka qenë ngjarje e marsit, për të cilën ne jemi akuzuar më vonë nga SHKB.
Akuza thotë se ju keni marrë 10 mijë lekë të reja nga ky person?
Personi pretendon, pasi ka ardhur dy javë me vonesë, duke na akuzuar ne dhe ka thënë se këta persona më kanë marrë 10 mijë lekë të reja, për mua personalisht me emër dhe për kolegët.
Ja keni marrë, apo jua ka dhënë?
Kjo është sajesë dhe gënjeshtër, nuk është provuar asnjëherë, sajesë dhe manipulim i SHKB. Pas dy javësh Ferko më ka marrë në telefon duke më thënë se më keni marrë 10 mijë lekë dhe kam kërkuar të di kush është ky person. Më ka marrë sërish në numrin e punës dhe numrin personal, të dy numra të deklaruar duke më provokuar për t’u sqaruar gjoja për lekët e marra.
E takuat?
I thashë eja te policia dhe këtu sqarohemi. Më ka marrë sërish dhe në qendër të qytetit e kam takuar, ndonëse e dija se ishte një inskenim dhe kombinacion. E kam takuar, isha edhe me dy kolegë të tjerë të punës dhe e takova për shumë pak minuta. Personi ishte me të njëjtin mjet që e ne e kemi ndaluar, një “Audi” me ngjyrë gri.
Dhe pastaj?
Kam parë nga pas tij makinën e SHKB, sepse e kam njohur dhe kam njohur personat që ishin në këtë makinë, sepse ishte manipulim, ishin gjashtë apo shtatë metra afër për të na përgjuar. Personi ka zbritur me një aparat në dorë dhe me emër më ka thanë se ti dhe kolegët tuaj duke përmendur emrat, më keni marrë lekët.
Ju si reaguat?
I thashë nëse ti na akuzon për këtë atëherë, eja të shkojmë në polici dhe të bësh akuzën dhe ankesën për këtë pretendim që ke. E kam tërhequr për krahu dhe e i thashë eja të sqarojmë ankesën dhe akuzën ndaj meje dhe kolegëve të mi.
Çfarë tha?
Kur i thashë të shkojmë në polici, se doja të shkoja atje dhe t’i zbuloja përgjuesit, ai është marrë në telefon nga shefi i SHKB se ishte shumë afër punë metrash nga ne dhe ka ikur me nxitim dhe është larguar. Me kaq bisedë unë jam arrestuar nga SHKB, me këtë bisedë të bërë me Mikel F.. Si ka mundësi që një person pa leje drejtimi, i skeduar nga trafiqet, që paraqitej rregullisht në polici e mbikëqyrej, përdorej nga SHKB në Fier dhe Tiranë për të bërë skema të tilla?! Këtu ka një shkelje dhe paligjshmëri totale.
Ka një fillesë më të hershme?
Sigurisht. Kjo si për mua, edhe kolegët e mi. Se kam punuar në shumë sektorë në polici, duke përfshirë edhe sektorin e përgjimeve, ndaj e kuptoja dukshëm skemën e tyre.
Dalim të ngjarja?
Duke qenë edhe një punonjës i dekoruar, nuk ka mundësi, vetëm se me urdhër të ish-ministrit…
Përse, çfarë i keni bërë ju atij që ministri të përfshihej në këtë histori. Unë pyes, ju dhe kolegët tuaj keni ndaluar një tjetër “Audi”, një tjetër makinë, keni qenë në ngjarje, çfarë ka ndodhur?
Gjatë 2013-ës dhe 2014-ës ka qenë një plan masash veprimi miratuar nga drejtoria dhe eprorët e saj. Ka qenë për pika të lëvizshme kontrolli në segmentet nacionale, në autostradën Levan-Fier dhe në akse të tjera rrugore, duke bërë shërbime edhe gjatë natës.
Dhe?
Një natë kemi qenë me shërbim në aksin Levan- Tepelenë, me dy ish-kolegë të mi, Antonio Nazeaj dhe kolegë të sektorit Antidrogës dhe dy punonjës policie të komisariatit. Këtë natë gjatë kontrolleve të shumta kemi ndaluar një automjet të markës “Audi A8” i zi, AA003 GB.
Arsyeja e ndalimit?
Arsyeja e ndalimit të këtij mjeti, sepse kishim dyshime për transport të këtij automjeti të lëndëve narkotike dhe për të verifikuar personat që ndodheshin në të. Në momentin e parë të prezantimit kanë qenë katër persona, dy vëllezërit Habilaj të shoqëruar me dy femra. U kërkuam të bëjmë kontroll mjeti dhe dokumentet e identifikimit.
Pranuan?
Jo, nuk kanë pranuar asnjërën. Kemi pasur një debat me vëllezërit Habilaj, që na kanë fyer e kërcënuar
Çfarë kërcënimi?
Na thanë se nuk keni shanse dhe nuk ka asnjë mundësi që ju të kontrolloni këtë automjet dhe kur jemi munduar të bëjmë kontroll me forcë, ata na janë larguar me shpejtësi, duke xhiruar gomat.
Përse nuk donin?
Kemi debatuar dhe na kanë fyer, dhe janë larguar me forcë. Mjeti ishte i ndezur. Në këto momente kemi marrë në radio pikën tjetër të kontrollit, kolegët tanë që ishin më poshtë nesh, duke iu thënë se ky automjet që u dhamë targën na ka ikur. Iu thamë që është larguar dhe s’ka pranuar kontroll, iu thamë që po ju vijmë edhe ne në ndihmë, ndaj duhet ndaluar.
U nisët?
Po, në këtë momente kemi shkuar në ndjekje dhe “Audi” ishte ndaluar nga kolegët tanë. Sërish dhe këtu ka pasur debat edhe me kolegët dhe është nxehur edhe më shumë situata. Ne, grupi, unë dhe kolegët donim t’i shoqëronin, nuk po na jepnin dokumentet dhe nisën kanosjet dhe fyerjet ndaj nesh me fjalor të rëndë.
Kërcënim?
Ju nuk e dini se kë keni ndaluar, se kush jemi ne dhe ju do ta merrni vesh shumë shpejt se kush jemi dhe aty na kanë thënë se kjo makinë është e ministrit. Kështu kanë thënë kur kanë parë se situata ishte agravuar.
Dhe si ndodhi?
Na kanë fyer e kërcënuar, pastaj thanë se kush janë dhe e kujt është makina. Duke përmendur emrin e ministrit u stepëm pak, nuk e besuam, menduam se është lojë. Në këto momente, njëri nga Habilajt ka marrë në telefon dikë dhe i ka thënë se ku ishin dhe janë këta të Antidrogës së Fierit dhe duan të na shoqërojnë atje tek ju. Nga ky moment janë shoqëruar.
Janë shoqëruar?
Po, janë shoqëruar dhe ne të gjithë siç ishim, kemi vazhduar për në komisariat.
Të saktësojmë diçka, në një vendim pushimi prokurorie, drejtues të policisë Fier thonë se ky mjet nuk është shoqëruar, ndërsa ju dhe kolegët thoni se e keni shoqëruar?
Jam duke ju thënë se është shoqëruar në komisariat, makina ka shkuar në mjediset e Drejtorisë së Policisë Fier, është futur në oborrin e kësaj drejtorie.
Dhe ju keni qenë një nga oficerët që e kanë shoqëruar?
Po, kam qenë një nga pjesëtarët e këtij shoqërimi. Sepse ishim ne pika e parë e kontrollit që u konfrontuam me ta dhe na kanë fyer banalisht, kanosur e kërcënuar, ishim pjesë e këtij shoqërimi.
Shkuat bashkë me mjetin në Drejtorinë e Policisë Fier?
Po, personat kanë shkuar bashkë me mjetin në Drejtorinë e Policisë, Fier.
Çfarë ka ndodhur aty?
Pasi kemi shkuar aty, kemi tentuar për të bërë kontrollin. Në momentin që kemi tentuar për të bërë këtë kontroll, këta persona janë pritur nga shoferi i ish-drejtorit të policisë së qarkut Fier.
Kush ishte ky person?
Personi që ishte shofer personal, ishte një djalë nga Fieri, e thërrisnin Dume, me sa kujtoj quhej Ar. Tahiri (tregon emrin e plotë) dhe është kushëri shumë i afërt i Saimir Tahirit.
Jeni i sigurt?
Patjetër që po, unë jam rritur në Fier dhe kam punuar gjatë si oficer policie në këtë qark, shoferi është nga Fieri me këtë emër dhe kushëri i afërt i ish-ministrit Saimir Tahiri.
Si u veprua më pas?
Këta persona kur janë takuar me shoferin, kanë nisur sërish të bëjnë fyerje, kanosje më të mëdha ndaj nesh, ndaj të gjithë ne policëve që ishim aty në oborrin e Drejtorisë së Policisë në Fier dhe pikërisht e kishin me ne, grupin që i ndaluam. Te oborri i drejtorisë na kanë kërcënuar dhe na kanë thënë nuk keni bërë mirë që na keni ndaluar, sepse kjo është makina e ministrit dhe do ta shikoni se çfarë do t’ju bëjmë ne, do t’i shikoni pasojat, do ta shikoni se çfarë do të ndodhë me ju.
Kur një mjet dhe personat shoqërohen në polici, ka një procedurë ku duhet të këtë gjurmë të këtij veprimi, të shënohet nëpër libra, apo filmohen veprimet nga kamerat?
Sigurisht. Çdo makinë që shoqërohet regjistrohet, verifikohen personat, shënohen të dhënat, si dhe arsyeja e shoqërimit të këtij automjeti, që duhet ta relatojmë ne. Makina nuk ka qëndruar më shumë se 10, 15, apo 17 minuta, jo më tepër mendoj dhe jemi urdhëruar nga salla operative që makina dhe personat duhet të lihen të lirë.
Ju nuk reaguat?
Po, sigurisht po. Iu thamë për çfarë arsye kjo makinë duhet të largohet, sepse ne përveç të tjerash kemi pasur një konflikt me këta persona të këtij mjeti në pikën e kontrollit.
Cila ishte përgjigja?
Kur i kemi kërkuar shpjegime për këtë veprim sallës, na është thënë se këta persona dhe ky mjet duhet të dalin, sepse është urdhër nga drejtori. Dhe për mua, me kaq vite punë në Policinë e Shtetit është rasti i parë që një mjet hyn i shoqëruar në mjediset e komisariatit, në këtë rast drejtorisë së policisë, dhe të mos verifikohen të dhënat, të mos shënohen e të mos bëhet as identifikimi i personave e jo më të mos kontrollohet as makina.
Në regjistrat e policisë nuk ka gjë të shënuar?
Këtë nuk e di, ne donim të bënim raport shërbimi për shoqërimin e këtij automjeti, por nuk e kemi bërë atë ditë, por të nesërmen, na është urdhëruar nga salla me urdhër të drejtorit, se makina duhet të dalë, sepse është makinë e Ministrisë së Brendshme dhe dalja është bërë me urdhër të drejtorit. Ndonëse ne nuk kemi pranuar, na është thënë së është urdhër i prerë për ju. Dhe kështu u është hapur porta dhe janë larguar.
Ju bëtë informacion tek eprorët tuaj për këtë ngjarje?
Tek eprorët tanë e kemi bërë këtë duke e shpjeguar.
Edhe me shkrim?
Po, e kemi bërë të nesërmen me shkrim dhe e kemi dërguar tek eprorët tanë, për të gjithë ngjarjen që ka ndodhur.
Ka gjurmë?
Po. Ky informacion duhet të ketë gjurmë, sepse ne kemi bërë raport shërbimi dhe informacioni arkivohet. Sepse ka informacione SK1 dhe SK2 dhe ka informacione që ne kemi bërë për persona nën hetim për këtë ngjarje, për arsyen e shoqërimit të automjetit.