Përmetari që u kap pardje me pesë kg heroinë në makinë përdorte një taktikë personale për të “çarë rrethimin”, sa herë që dërgonte drogë drejt Greqisë, pasi doganierëve u thoshte frazën “magjike”: “Jam oficer i SHISH-it”.
Në fakt, Policia e Shtetit ka verifikuar këto ditë gjithçka rreth 30-vjeçarit Ervis Canka dhe nga një ballafaqim me Shërbimin Informativ Shtetëror rezulton se ai nuk ishte pjesë e strukturave efektive, porse thjesht një bashkëpunëtor ose i quajtur ndryshe informator.
Pra, teksa Canka paguhej nga SHISH-i në këmbim të informacioneve për narkotrafikët apo të tjera trafiqe ilegale, ai e keqpërdorte këtë marrëveshje të ligjshme për të zgjeruar “biznesin”.
Në fakt, Canka e kishte një biznes dhe bëhej fjalë për një kompani udhëtimesh drejt Greqisë.
Gazeta “Shqip” që ka zbardhur këto detaje të operacionit “Stafeta” shkruan se 30-vjeçari kishte një linjë transporti me autobusë drejt vendit fqinj. Nisur nga ky fakt, hetuesit dyshojnë se Canka mund të ketë trafikuar me dhjetëra kg drogë drejt Greqisë, gjithnjë duke përdorur petkun e SHISH-it dhe duke keqpërdorur një bashkëpunim të tij me shërbimin e inteligjencës. Pardje, Policia e Gjirokastër sekuestroi pesë kg heroinë.