Sipas statistikave, paga mesatare dallon shumë në rajone të ndryshme të Evropës. Me paga të mëdha prijnë Evropa Perëndimore dhe Skandinavia, ku mesatarja i kalon 2,000 euro.
Paga më e lartë është në Lihtenshtajn, ku sipas raporteve për vitin 2012, paga mesatare neto arriti në 5,314 euro. Pastaj vjen Zvicra (3,994 euro), Monako (3 436 euro), Norvegjia (3,212 euro) dhe Luksemburgu (3,149 euro), raporton Al Jazeera Balkans.
Pagat më të ulëta janë në vendet e Evropës Lindore. Në Ukrainë, paga mesatare është vetëm 130 euro, e më mirë se ky shtet qëndrojnë Azerbajxhani (224 euro), Kazakistani (257 euro) dhe Bjellorusia (272 euro).
Sipas agjencive të Statistikave të vendeve të rajonit, paga më të lartë mesatare në Ballkan është në Slloveni (1,022 euro), pasuar nga Kroacia (752). Paga më e ulët mesatare është në Maqedoni (354 euro). Po në Shqipëri sa është paga mesatare? Sipas raportit të INSTAT për vitin 2015, paga mesatare në Shqipëri është 46 mijë lekë/muaj (ose 320 euro).