Shën Valentini është një shenjtor gjerësisht i njohur, që ka jetuar në shekullin e tretë në Romë, i cili përkujtohet në datën 14 shkurt. Ai është lidhur që nga mesjeta me simbolin e dashurisë së sinqertë. Asgjë nuk dihet me siguri për të, përveç faktit që quhej Shën Valentin dhe se vdiq më 14 shkurt në rrugën “Flaminia” në veri të Romës.
Dita e Shën Valentinit është një ditë feste në komunitetin e besimit anglikan dhe në atë protestant. Kisha Ortodokse e feston ditën e priftit Shën Valentin më 6 korrik, ndërsa ditën e martirit Shën Valentin më 30 korrik. Dita e Shën Valentinit festohet në shumë vende të botës edhe pse është një ditë pune.
Kjo ditë u lidh fillimisht me dashurinë nga vargjet e Xhefri Kaucer në mesjetë, kohë kur lulëzoi tradita e romancës. Simbolet e ditëve të sotme për Shën Valentinin janë zemrat, pëllumbat dhe engjëlli Kupid. Në shekullin e 19, dedikimet për Shën Valentinin jepeshin përmes kartolinave, të cilat u bënë shumë popullore.