TIRANE- Eduard Budini, i ka kërkuar ndjesë taksistit dhe familjes së tij, por ka theksuar se nuk mban mend asgjë nga ajo që ka ndodhur.
“Ndjesë shpirtërisht për çfarë ndodhi, por nuk kujtoj asgjë. Doja t’i kërkoja falje taksistit, por nuk e gjeta”, ka thënë në gjyq Budini.
Ndërsa dy ditë më parë kur u arrestua në Gjiroktastër, ka thënë: Jam në gjendje të rënduar psikologjike dhe shpirtërore”.
Eduard Budini nga Përmeti, punonte si polic në komisariatin e Dragotit Gjirokastër. Ai kishte grabitur nën kërcënimin e armës një taksist në Tiranë në nëntor të vitit 2015. Policia vendosi të publikojë pamjet e kameras së vendosur në taksi vetëm dy ditë më parë dhe shpërblim për informatorët. Vetëm pak orë pas publikimit të videos, policia duke falenderuar qytetarët dhe median tha se u arrit identifikimi dhe arrestimi i autorit të grabitjes.
Sakaq prindërit e tij, kërkuan mëshirë, duke thënë se Eduardi kishte shumë halle, borxhe dhe ishte në proces divorci, ç’ka e kishin rënduar gjendjen e tij emocionale.