Agjendët e FBI-së (Byrosë Federale Amerikane të Hetimeve) kanë vënë në pranga gati të gjithë zyrtarët e një qyteti të vogël në Teksas.
Joel Barajas, ishte i vetmi anëtar këshilli në Cristal City, për të rrëfyer mbi atë që kishte ndodhur-shkruan “The Washington Post”. Kjo, për shkak se të gjithë të tjerët me të cilët ai punonte, po përballen me akuza krimi.
Pesë zyrtarët e lartë në qytetin e Teksasit u arrestuan të enjten, në bazë të një aktakuze për marrjen e ryshfetit, si dhe u kanë ndihmuar kazinove të paligjshme, në shkëmbim të shërbimeve.
Aktakuza përfshiu kryebashkiakun e qytetit, përfaqësuesin ligjor të qytetit, dy anëtarë aktualë dhe një ish-anëtar të Këshillit Bashkiak.
Para këtij aksioni ishte arrestuar edhe një tjetër anëtar i këshillit, Marco Rodriguez, me akuzën e kontrabandës njerëzore.
Richard Durbin, prokurori kompetent për Teksasin, ka thënë se zyrtarët akuzohen për keqpërdorim të postit zyrtar për tu pasuruar. Cristal City numëron gjithsej 7.500 banorë./tvklan/