Izraeli ka kaluar të gjitha vijat e kuqe. Kështu e ka nisur fjalimin e tij të shumëpritur, lideri i Hezbollahut, Hassan Nasrallah.
Në një dalje televizive e cila vjen dy ditë pas shpërthimeve të njëpasnjëshme në Liban e cila la të vdekur afro 40 persona, Nasrallah vuri në dukje se Izraeli kishte në plan eliminimin e afro 5 mijë luftëtarëve të Hezbollahut në vetëm 2 minuta.
“Në emër të të gjithë atyre që kanë humbur dëshmorët, që janë plagosur, në emër të të gjithë atyre që kanë luftuar në emër të Gazës, ne i themi Netanyahut dhe Gallantit, armikut tonë, se fronti libanez nuk do të ndalet para se të ndalojë agresioni në Gaza. Rezistenca në Liban nuk do të ndalojë së mbështeturi popullin e Gazës dhe Bregut Perëndimor. Ne e kemi thënë këtë për 11 muaj, ne mund të jemi duke e përsëritur veten, por kjo deklaratë vjen pas këtyre dy goditjeve të mëdha. Unë e them qartë: Rezistenca në Liban nuk do të ndalojë së mbështeturi Gazën”, tha kreu i Hezbollaut, Hasan Nasrallah.
Nasrallah vlerësoi unitetin e demonstruar nga populli libanez. Sipas liderit të Hezbollahut, shpërthimet ishin të paprecedente në historinë e Libanit dhe të botës.
“Nuk ka dyshim se në jemi sulmuar drejtpërdrejt”, theksoi Nasrallah. Kreu i Hezbollahut e filloi fjalimin e tij duke njoftuar se donte të trajtonte tre pika në lidhje me “situatën aktuale”.
“’Pika e parë është aspekti njerëzor”, pra të vdekurit dhe të plagosurit. Pika e dytë ka të bëjë me pyetjen “si duhet të përballemi me (shpërthimet). Pika e tretë është pikëpamja e përgjithshme, këndvështrimi politik dhe gjendja e xhihadit”. Nëse ju vuani dhimbje, mbani mend se edhe ata vuajnë dhimbje”, vuri në dukje Nasrallah.
Gjatë fjalimit të Nasrallah, ushtria izraelite njoftoi se do të sulmonte objektivat e Hezbollahut në Liban për të shkatërruar “aftësitë dhe infrastrukturën e tyre terroriste”. Për dekada, organizata terroriste e ka kthyer Libanin në një “zonë lufte”.
Ushtria tha se operacioni ishte pjesë e përpjekjeve për të mundësuar kthimin e izraelitëve që kishin ikur nga sulmet disamujore të Hezbollahut në Izraelin verior. Në të njëjtën kohë, avionët luftarakë izraelitë fluturuan ulët mbi kryeqytetin Bejrut dhe thyen shpejtësinë e zërit.