Zyra e kryeministrit të Izraelit, Benjamin Netanyahu, ka thënë të mërkurën se do ta lejojë futjen e ndihmave humanitare në Rripin e rrethuar të Gazës përmes pikëkalimit kufitar me Egjiptin.
Ky vendim, sipas Qeverisë izraelite, u mor pas kërkesës së presidentit të Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, i cili e vizitoi të mërkurën Izraelin për ta ritheksuar mbështetjen amerikane për të pas sulmit nga grupi militant Hamas më 7 tetor.
Në një komunikatë për media, ajo tha se “ne nuk do ta pengojmë” furnizimin me ushqim, ujë dhe barna, përderisa furnizimet nuk arrijnë në duart e Hamasit.
Në komunikatë nuk u përmend fare karburanti, i cili është tejet i nevojshëm për këtë enklavë.
Nuk është e qartë se kur do të fillojë dërgimi i ndihmave humanitare në Gazë.
Pikëkalimi i Gazës me Egjiptin, Rafah, ka kapacitete të kufizuara dhe Egjipti ka thënë se ai është dëmtuar nga sulmet ajrore izraelite.