Ferdinand Shehu është ish-punonjësi i Agjencisë së Legalizimit, Urbanizmit dhe Integrimit të Zonave Urbane, të cilit policia i sekuestroi 1.5 milionë euro llogari bankare këtë të enjte.
Shehu ka reaguar për ABC News ku është shprehur se ndodhet në Itali për pushime dhe prej 8 vitesh nuk është kryer asnjë hetim ndaj tij. Sipas tij, autoritetet kanë pasur kohë për ta hetuar, por gjetën momentin që iku me pushime. Shehu thotë që do të bëjë padi ndaj policisë dhe prokurorisë pasi nuk është thirrur asnjëherë për këtë hetim.
“Jam në Itali bashkë me familjen, më kanë bllokuar çdo cent në llogarinë bankare. Kam 8 vite në Shqipëri, pse nuk është bërë asnjë hetim ndaj meje? Çdo lëvizje e kam bërë nëpërmjet bankës. Shteti kishte plot kohë për të më hetuar, por gjeti momentin kur ika në Itali me pushime. Do bëj padi ndaj prokurorisë dhe policisë, pasi nuk më kanë thirrur asnjëherë për këtë hetim”, është shprehur Shehu.
Policia e Tiranës finalizoi këtë të enjte operacionin e koduar “Investimi, ku u sekuestruan 1.500.000 Euro llogari bankare të Ferdinand Shehut. Në vitet 2006-2011, Shehu ka mbajtur funksione zyrtare në Agjencinë e Legalizimit, Urbanizmit dhe Integrimit të Zonave Urbane.
“Ky shtetas dyshohet se ka konsumuar veprën penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale”, parashikuar nga neni 287 i Kodit Penal, duke kryer disa investime në pasuritë e paluajtshme”, thuhej në njoftimin e uniformave blu.
Sipas policisë, kohët e fundit nëpërmjet një banke private, ish-punonjësi i administratës ka tentuar transferimin e 1 milionë eurove jashtë vendit, me justifikimin për investime financiare, ndërkohë 500 000 Euro të tjera i ka vendosur në depozitë me afat./ Burimi: ABC News