Eksodi masiv nuk ka ardhur ende, ndërsa lufta e fshehtë për ta shmangur ka nisur tashmë. Dhe ndodhet në një fazë përcaktuese pikërisht teksa inteligjenca i ka rrëfyer Parlamentit italian përfshirjen e klaneve nga Brindizi në trafikun e qenieve njerëzore”. Kështu e nis shkrimin gazeta italiane Corriere Della Sera që njofton se prej ditësh ka nisur këmbimi i informacioneve të rezervuara, në një bashkëpunim investigativ në nivel ndërkombëtar.
Sipas gazetës këto veprime reflektojnë rrezikun e zbarkimeve masive në Pulja pas mbylljes së kufijve të disa vendeve evropiane përgjatë rrugës ballkanike. “Për këtë ka nisur një veprimtari konstante e nëndheshme e kryer në nivel inteligjence dhe përmes të gjitha kanaleve investigative dhe diplomatike mes Italisë, Shqipërisë dhe Malit të Zi”, shkruan gazeta.
Sipas autorit të artikullit Bepi Castellaneta, qëllimi është që autoritetet italianë të mos kapen në befasi. Dhe për këtë do të veprojnë Europol dhe Interpol në një zyrë në Malin e Zi, por një rol të rëndësishëm mund të luajë edhe Shërbimi i bashkëpunimit ndërkombëtar të policisë (Scip) në Shqipëri si dhe bërthama e kufitare detare e Guardia di Finanzas e vendosur në Durrës dhe në Vlorë.
Sipas gazetës verifikimet nuk kanë të bëjnë vetëm më fluksin e emigrantëve, por edhe me veprimet e dyshuara si blerjet e varkave të mëdha apo shfaqja e gomoneve nëpër brigjet shqiptare. “Po punojmë për të ndaluar që të rihapet rruga e vjetër”, theksoi ministri i Brendshëm italian Anxhelino Alfano, në takimin e fundit për sigurinë që u zhvillua disa ditë më parë në Bari.
Ndërkohë, Corriere shkruan se për ta parandaluar këtë veprimtari do të duhet puna masive e inteligjencës për analizën e flukseve, dhe një monitorim që konfirmon përfshirjen e kriminalitetit të organizuar puljez në trafikun e njerëzve. Autori përmend dhe raportin vjetor të inteligjencës italiane, i cili thekson se mund të jetë aktive veprimtaria e disa grupeve nga Brindizi që zhvendosin emigrantë nga brigjet e gadishullit jugor të Ballkanit drejt Italisë.
Sipas raportit bëhet fjalë për ish-kontrabandistë cigaresh, skafistë ekspertë që janë në gjendje t’i shmangen mbikëqyrjes detare, të cilët përdorin mjete lundruese të shpejta.