Një ngjarje e rëndë u shënua pasditen e sotme në qytetin e Korçës, teksa një 45 vjeçar ka spërkatur me lëndë djegëse dhe më pas i ka vendosur flakën ish-bashkëshorten e tij.
Për këtë ngjarje ka reaguar edhe Ministria e Shëndetësisë, Albana Koçiu.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, ajo shkruan se mjeket e shërbimit të Djegie-Plastikës në QSUNT po bëjnë më të mirën e mundur për Melisa Trëndafilin.
Reagimi i Ministres së Shëndetësisë:
Mjekët e shërbimit të Djegie-Plastikës në QSUNT po bëjnë më të mirën e mundur për Melisën, vajzën, nënën e dy fëmijëve të vegjël nga Korça, e cila u sulmua sot në mënyrë brutale nga një “burrë” frikacak, që duhet të ishte krahë saj për ta mbështetur në rritjen e edukimin e fëmijëve, por që sot në mënyrë tinzare vendosi të kthehet në agresorin e saj, nënës së fëmijëve të tij.
E teksa inkurajoj institucionet përgjegjëse për ndalimin dhe dënimin maksimal të tij, i jam pranë me zemër familjes së Melisës. Askush nuk duhet të përjetojë një dhimbje të tillë.
Do të qëndrojmë kundër dhunës dhe mbështesim të gjithë ato gra që bëhen viktima të këtyre “burrave” që meritojnë ndeshkim maksimal. Kjo është një betejë që askush nuk e fiton dot vetëm, ndaj bashkë duhet të punojmë shumë e të bëjmë të pamundurën, të parandalojmë ngjarje si kjo e sotmja.