Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa është shprehur se taksa 100 për qind ndaj produkteve të Serbisë dhe Bosnjë e Hercegovinës, duhet të hiqet ashtu siç kanë kërkuar Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë kërkuar që taksa të hiqet plotësisht. Përmes një postimi në Facebook, Mustafa, partia e së cilit është në koalicion qeverisës me Lëvizjen Vetëvendosje të Albin Kurtit, tha se deputetët e LDK-së do ta mbështesin qeverinë për heqjen e taksës, pasi sipas tij, kjo është në interes të Kosovës.
“Të hiqet (v.j. taksa) ashtu siç po kërkojnë SHBA-të. Nëse dikush luhatet, LDK, deputetët e saj dhe anëtarët e Qeverisë do të mbështesin pa asnjë rezervë dhe me besim e bindje të plotë heqjen e menjëhershme të tarifës, dhe atë jo vetëm se po e kërkon partneri ynë strategjik SHBA, por se jemi të bindur se kjo është në interes të shtetit të Kosovës”, ka shkruar Mustafa.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka paraqitur planin e tij për heqjen e taksës. Ai ka njoftuar se më 15 mars do të hiqet taksa për lëndën e parë që importohet nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina. Ai ka thënë se nëse Serbia ndalë fushatën për çnjohje dhe zotohet për heqjen e barrierave jotarifore, nga 1 prilli, taksa do të hiqet prej një periudhe prej 90 ditësh. Nëse Serbia nuk i përmbahet këtyre zotimeve, sipas Kurtit, nga 15 qershori, do të rivendoset taksa 100 për qind dhe do të zbatohet parimi i reciprocitetit.
Plani i Kurtit është kundërshtuar nga Shtetet e Bashkuara. I dërguari i Shtëpisë së Bardhë, për dialogun Kosovë-Serbi, ambasadori Richard Grenell ka thënë se Kurti bën “gabim serioz”, pasi sipas tij, kërkesa e SHBA-së është që tarifat të hiqen plotësisht.
Taksa 100 për qind u vendos në nëntor të vitit 2018 nga Qeveria e Kosovës, që udhëhiqej nga Ramush Haradinaj. Kjo taksë është vlerësuar si pengesë për vazhdimin e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, pasi kjo e fundit ka refuzuar që të kthehet në tavolinën e bisedimeve pa u hequr taksa.
SHBA-ja, por edhe Bashkimi Evropian në vazhdimësi kanë kërkuar nga autoritetet në Prishtinë që të heqin taksën, për t’i hapur rrugë rinisjes së dialogut.