Ish-ministrja e PD propozon një kompromis historik mes palëve politike për çështjet e Integrimit, për të përcaktuar një qëndrim kombëtar për 10-vjeçarin e ardhshëm ose periudhën në të cilën do të zgjasin negociatat
Intervistoi: Nevila Perndoj
Në një periudhë simbolike për PD dhe historinë e saj, deputetja, Majlinda Bregu flet për shumëçka lidhur me këtë forcë politike, marrëdhënien e saj me PD-në dhe të ardhmen e saj politike.
Në një intervistë për gazetën “Mapo”, Bregu i përgjigjet zërave lidhur me një propozim nga Brukseli për ta emëruar si kryenegociatore të Shqipërisë në BE dhe jo vetëm.
“…Unë kam 10 vjet që negocioj me BE-në! Kjo ik e JA në Europë, vulosi edhe fatin tim politik. Pse jo mbase jashtë rryme, por vazhdon të mbetet pasioni im politik. Ju pëlqen apo jo kjo papagajve të politikës a figurantëve politikë, pak rëndësi ka për mua. Ka 10 vjet që ndjek atë që besoj dhe nuk kam asnjë tundim për të yshtur më tej trallisjen politike të askujt…”, -shprehet ajo.
Por, a po lobon ajo një qasje të ndryshme nga ajo e lidershipit të partisë?
“Unë kam qenë dhe jam në linjën e PD-së, për të cilën jam bashkuar edhe në vitin 2005, si partia e cila vendosi qysh në krijimin e saj anëtarësimin në Bashkimin Europian, si qëllimin e saj kryesor. Këtu jam unë… Historia e PD-së nuk është zgjedhje e lidershipit aktual. Kushdo është i lirë ta ndjekë ose jo, por nuk e themelon dot historinë. PD-ja ka lindur me këtë mision, dhe unë jam në të njëjtin mision për të cilin ka lindur PD-ja”, -përgjigjet ajo.
Për integrimin e Shqipërisë në BE, Bregu shprehet se volitet një kompromis historik.
“Na duhet t’i thërrasim arsyes se më ngjan që po konsumojmë e prodhojmë më shumë urrejtje se shpresë; më shumë stanjacion se zhvillim; më shumë injorancë se edukim; më shumë mashtrime se të vërteta; më shumë pabarazi se sa zbutje të saj; më shumë vetëshkatërrim se sa mund ky vend të mbajë…”, -thotë ajo.
Bregu ka një përgjigje edhe për debatin e fundit mes PD-së dhe ndërkombëtarëve lidhur me përkthimin e ligjit të vettingut në Komisionin e Venecias.
“…Ne na kanë vënë në provë! Jo për letrat! Jo për fjalimet! Jo për përkthimin! Por për të gjetur njerëzit që kanë vullnet e kurajë për ta ndryshuar këtë gjendje!…”.
A ka marrë Bregu ndonjë ofertë konkrete politike nga Rama në këmbim të një qëndrimi të caktuar?
“Unë nuk jam në politikë si krijesë e skutave dhe as e lutjeve që zakonisht ju rrinë bukur kujt në jetë s’ka bërë asgjë. Jam e qartë se në këtë panair politik rraskapitës, – siç e quan Kadare, – ka zhurma, ujë, dëngla, pazare e frikëra nga më të çuditshmet…”, -përgjigjet ajo.
Bregu flet edhe për të ardhmen e saj në politikë.
“…Në rast se për të zgjedhur ndërmjet të ecurit apo të tërhequrit zvarrë dhe një vrapi të lodhshëm për të mbërritur deri diku, absolutisht do të zgjedh vrapin sado i vështirë të jetë dhe sado me pengesa të jetë. Ndoshta mund të jem gabim unë që e shoh veten dhe e projektoj me një shpejtësi tjetër. Dhe meqenëse më pyetët për të ardhmen politike, unë e shoh veten siç jam!…”.
Ajo jep përgjigje interesante edhe për angazhimin e të rinjve në politikë, për të cilën foli dy ditë më parë edhe Lulzim Basha.
“…Nuk bëhet fjalë për nocionin moshor, bëhet fjalë për konceptin, cilësinë, pasionin për politikën, dëshirën që kanë për të bërë ndryshim dhe jo intoksikimin për pushtetin e ri, dhe bëhet fjalë edhe me një gjë tjetër që pak kush e përmend sot, bëhet fjalë për një personalitet dhe rithemelim individualiteti politik. Larg atij paternalist…”.
Një shpotitje ajo e ka edhe për Lulzim Bashën teksa pyetet nëse synon postin e kryetarit të partisë.
“…Luli (Basha) ka pasur fatin më të madh që as Berisha nuk e ka pasur si kryetar i PD-së. Sepse realisht ai është zgjedhur dhe ka jetuar në një terren edhe si kryetar i një partie politike ku nuk ka pasur zëra ta kundërshtojnë apo t’i bëjnë ndonjë betejë. Ka qenë komod për të. Dhe e përsëris, as Berisha nuk e ka pasur të tillë në fillimet e veta po të shikojmë figurat që ishin atëherë. Unë them që gara e bën një njeri më të fortë. Sfida i jep mundësi një njeriu që të provohet sidomos një kryetari…”.
Znj. Bregu, si ish-ministre Integrimi për gati 7 vjet, si kryetare e Komisionit parlamentar të Integrimit dhe kryetare e Këshillit të Integrimit jeni e lidhur drejtpërdrejt me procesin e integrimit të Shqipërisë në BE. Në këndvështrimin tuaj, si mund ta përshpejtojë klasa politike shqiptare afrimin e Shqipërisë me BE-në?
Ka thuajse një vit që e them se duhet të ketë një qëndrim kombëtar unanim për pjesën e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian. Nisur edhe nga eksperienca e vendeve të tjera, të cilat kanë pasur një qëndrim jo vetëm të njëzëshëm kur bëhej fjalë për integrimin evropian, por njëkohësisht edhe një lloj “moratorium” kur diskutohej sidomos në tryezat jashtë vendit, për të evituar ato ndjesitë e shëmtuara të animozitetit që veçanërisht ne shqiptarët i kemi shumë qejf për t’i bërë. Pra, e kam fjalën për të evituar komunikimin vrastar e replikat e ulëta, si dhe përcjelljen e klimës së konfliktit që ne bëjmë së brendshmi ose po të doni për të mos çuar ditën e enjte dhe shëmtinë që shoqëron debatin në Parlament, në vendet anëtare të BE-së.
Ka plot që mund të thonë se çfarë do të thotë kjo, që ne të mos i themi të vërtetat? T’i fshehim ato vetëm që të tjerët të na shohin siç duhet të jemi dhe jo ato që jemi realisht? Jo. Kjo do të thotë që mbase koha ka ardhur e jemi vonë, por besoj Shqipëria ka nevojë për një Kompromis Historik! E ka arritur edhe Italia e fundviteve ‘70. Na duhet t’i thërrasim arsyes se më ngjan që po konsumojmë e prodhojmë më shumë urrejtje se shpresë; më shumë stanjacion se zhvillim; më shumë injorancë se edukim; më shumë mashtrime se të vërteta; më shumë pabarazi se sa zbutje të saj; më shumë vetëshkatërrim se sa mund ky vend të mbajë. Do të thotë që për atë pjesë që Shqipëria nuk mund të bëhet me faj (nuk ka pasur kurrë forca politike anti-europiane), të paktën këtë lloj aseti t’ia ruajmë vetes. Të flasim të gjithë me një zë për rëndësinë që ka ky proces dhe sa jetik është për Shqiptarët. Sikur vetëm ndihmën ekonomike falas ta mendojmë për një moment, janë 1 mld euro grante në 10 vjet që BE-ja i ka dhënë Shqipërisë. Jo rrallë më duket se Europa ka qenë më dashamirëse me ne se sa shqiptarët kanë qenë me veten këto vite.
Ky proces do të zgjasë më gjatë se sa dikush e ka imagjinuar dhe menduar. Akoma më keq. Askush nuk e ka më të sigurt që edhe kur ne të mbërrijmë në fund të kësaj trajektoreje, edhe sikur t’i plotësojmë të gjitha detyrimet, do të jemi anëtar të një BE-je që do të ekzistojë siç është sot, apo do të jemi anëtar i një Europe që mund të këtë një tjetër formë. Populizmi po e keqinterpreton dhe po e prish atë kurorën e vlerave për të cilat u ngrit Bashkimi Europian. Por, Shqipëria është nga të rrallat vende që i qëndron dhe i respekton vlerat evropiane. Nuk di nëse të gjithë që flasin në emër të Europës e për Europën që ju duhet shqiptarëve, e mendojnë deri në fund se Europa është interesi ynë kombëtar, siguria dhe mbijetesa jonë si komb. Por kjo është çështje vetëdije. Unë e them ndoshta më shumë sesa të tjerët këtë gjë sepse unë e kam vuajtur këtë lloj tendence. Kur isha ministre e Integrimit pyetesha edhe vihesha në siklet për qëndrimet e dyanshme që mbanim ne. Kur miratohej rezoluta për liberalizimin e vizave, në Bruksel mbërrinin dy palë shqiptarësh. Ishim një palë shqiptare ne të mazhorancës atëherë që mundoheshim të promovonim se sa vendi kishte zbatuar standardet që shqiptarët të fitonin liberalizimin e vizave dhe mbas meje ishte një palë tjetër shqiptarësh, që vinin nga opozita e atëhershme (që sot është në mazhorancë) që me zor prisnin që unë të mbaroja takimin me përfaqësuesit ndërkombëtarë dhe europian për t’i thënë të kundërtën që Shqipëria nuk e meritonte sepse nuk kishte plotësuar standardet e liberalizimit të vizave.
A i keni ndërruar rolet në këtë drejtim?
Ne zgjatjet e stërzgjatjet tona historike, ka role e aktorë pa fund. Ne në fund të fundit vend me demokraci të frustruar jemi. Por askush s’ka të drejtë të mbajë peng kohën e shqiptarëve vetëm se nuk jemi heronj të kohës së tjetrit. Kështu e kuptoj unë qëndrimin kombëtar. Pra, të kemi mundësinë të ndërtojmë një platformë apo akt- pak rëndësi ka forma e emri, – urgjenca ka rëndësi them. Pa dyshim së bashku me gjithë aktorët e tjerë që do të jenë palë në këtë proces, biznesi, shoqëria civile, media. Kjo nuk do të thotë që t’i bësh fresk qeverisë. Kjo do të thotë që qeveria të mos e ndiejë veten komode në përpjekjet e saj lojcake për ta konsideruar integrimin Europian si pronë partiake. Nuk është demokracia ku nga një palë zgjedhje dalin qeveritë. Kjo s’është garanci që janë qeveri demokratike. Jo. Aq më tepër në këto kohëra të sotme. Ndaj ka nevojë për të pasur një qëndrim të unifikuar. Duhet të ulemi dhe të përcaktojmë një qëndrim kombëtar, i cili duhet të bëjë gati vizionin e Shqipërisë për 10-vjeçarin e ardhshëm ose periudhën në të cilën do të zgjasin negociatat. Pra, çfarë prioritetesh kombëtare do të mbrojmë ne? Cilat do të jenë politikat të cilat duam ne të zhvillojmë? A do të duam që të kemi turizmin prioritet kombëtar, apo bujqësinë? Çfarë na duhet për t’i bërë këto prioritete tonat dhe për të ndërtuar strategji që të funksionojnë. Çfarë mund të bëjmë për të thithur sa më shumë investime të huaja? Ku nuk do të tolerojmë nga asetet kombëtare të Shqipërisë, si territori, kufiri e të tjera me radhë. Pra deri në këto detaje ka nevojë për të vendosur një strategji kombëtare dhe një plan afatgjatë për negociatat. Të gjitha vendet që kanë qenë para nesh në këtë proces e kanë kryer këtë lloj analize të paktën minimumi një vit para çeljes së negociatave. Është momenti që të ulemi dhe të vendosim në linja madhore se cilat do të jenë prioritetet kombëtare të Shqipërisë. Duhet bërë sot dhe jo nesër. Ne nuk kemi se pse të presim se çfarë do të thotë Këshilli në dhjetor dhe as të varemi nga ai vendim për t’u bërë gati vetë nesër për procesin e çeljes së negociatave.
Bashkangjitur asaj që thatë më sipër, ju prej kohësh kërkoni t’i jepni një zë të rëndësishëm procesit të integrimit të Shqipërisë… Në këtë kuadër ka pasur zëra dhe konkretë madje për t’iu emëruar ju si kryenegociatore të Shqipërisë në BE… Në parim, (pavarësisht vendimit që do të merret), ju aspironi për një detyrë të tillë?
Unë kam 10 vjet që negocioj me BE! Kjo ik e JA në Europë, vulosi edhe fatin tim politik. Pse jo mbase jashtë rryme, por vazhdon të mbetet pasioni im politik. Ju pëlqen apo jo kjo papagajve të politikës a figurantëve politikë, pak rëndësi ka për mua. Ka 10 vjet që ndjek atë që besoj dhe nuk kam asnjë tundim për të yshtur më tej trallisjen politike të askujt.
Znj. Bregu, ju keni mbajtur qëndrime të forta politike dhe hera-herës edhe kritike për mënyrën se si sot duhet bërë opozitë… Është krijuar një ide madje sikur ju zhvilloni një qasje të ndryshme nga ajo e lidershipit të partisë. A ka diçka konkrete në këtë drejtim? Ku jeni e pakënaqur me kreun e PD-së, Basha?
Unë kam qenë dhe jam në linjën e PD-së, për të cilën jam bashkuar edhe në vitin 2005, si partia e cila vendosi qysh në krijimin e saj anëtarësimin në Bashkimin Europian, si qëllimin e saj kryesor. Këtu jam unë. Dhe nuk besoj se ka ndonjë njeri që mund të mendojë që PD-ja është një forcë politike që duhet të dalë jashtë kësaj linje. Për më tepër, që të gjitha proceset madhore në këtë vend, që kanë lidhje me anëtarësimin në NATO, me liberalizimin e vizave, me statusin e vendit kandidat e me radhë… të gjitha kanë vulën e PD-së. Historia e PD-së nuk është zgjedhje e lidershipit aktual. Kushdo është i lirë ta ndjekë ose jo, por nuk e themelon dot historinë. PD-ja ka lindur me këtë mision, dhe unë jam në të njëjtin mision për të cilin ka lindur PD-ja.
Kjo gjë sa duket nuk është kuptuar nga shumë syresh në PD. Po ju bëj një pyetje të drejtpërdrejtë, a keni marrë ju oferta konkrete politike nga kryeministri Rama në këmbim të një qëndrimi të caktuar?
Integrimi Europian i Shqipërisë larg qoftë të ketë emrin e Edi Ramës apo larg qoftë të ketë emrin e kujtdo tjetri nesër. Ky është një proces të cilin ne ua kemi borxh shqiptarëve dhe pavarësisht se kush do të jetë kryeministri dhe qeveria e radhës, nuk i takon kurora e dafinës mbi kokë, sepse e vetmja gjë që kemi në dorë ne që merremi me politikë, është që të paktën të mos i bindim përfundimisht se Shqipëria si gjithë Europa do të mbetet vetëm dëshirë e shqiptarëve, por jo realitet. Për çka më pyet tjetër, unë nuk jam në politikë si krijesë e skutave dhe as e lutjeve që zakonisht ju rrinë bukur kujt në jetë s’ka bërë asgjë. Jam e qartë se në këtë panair politik rraskapitës, – siç e quan Kadare, – ka zhurma, ujë, dëngla, pazare e frikëra nga më të çuditshmet. Unë e kam thënë dhe e përsëris që nuk do t’ia falja vetes sot atë që ka bërë Edi Rama dje. Pra, kur me pretekste të trasha dhe të paqena mundohej që të vinte shkopinj nën rrota dhe të zgjaste kohën e një procesi vetëm duke menduar se një rezultat pozitiv do të sillte më shumë vota për forcën politike që ishte në pushtet. Unë vetes nuk ia lejoj sot atë që ka bërë opozita e djeshme. Në këtë aspekt për sa kohë të vazhdoj të jem në politikë do t’i qëndroj të njëjtit parim që kam pasur gjithmonë. Axhenda europiane e Shqipërisë nuk është çështje e kostumit të një kryeministri e as e një partie. Është çështje kombëtare e Shqipërisë. E jo për fajin e brezit tim shumë kohë ka rrjedhur gabim për shqiptarët. Por jam po aq e bindur sot, se sa herë hapësirat e komunikimit normal politik t’i mbushim me mllef, arrogancë, tërbim, shfryrje, viktimizim, aq më keq do të jetë, aq më shumë kohë do të humbim.
Jam atje ku isha edhe para 10 vitesh. Se si zgjedhin ta kuptojnë të tjerët këtë, është problem i tyre dhe jo i imi.
Cilën perspektivë politike mbështesni për ardhmen në pushtet të PD-së?
Vazhdoj t’i qëndroj çka kam thënë se mbase ajo formula për të rikthyer shpresën te qytetarët dhe jo vetëm shpresën se ky vend bëhet, por shpresën për të ri-identifikuar PD-në si forca e vetme e cila qeveris ndryshe dhe shumë më mirë sesa qeverisja aktuale, nuk është gjetur akoma. Nuk dua të përsëris ato qëndrime që i kam mbajtur publikisht dhe që veçse i shtohet keqardhjes që të jep e vërteta. Besoj së shpejti do të kemi një diskutim për strategjinë zgjedhore. Do të doja gjithashtu që PD-ja të ishte shtëpia e të gjithë atyre, që janë larguar. Nuk e kam fjalën për ta lënë derën çerek të hapur për Ilir Metën dhe ta mbyllim pastaj kur Ilir Meta si “samaritan” i mirë, të ndajë mendjen për t’u bashkuar me Ramën; ose përpara se të hapim derën për Ben Blushin duhet në mënyrë urgjente njëherë që të zgjedhim problemet me njëri-tjetrin, me ata të cilët janë larguar nga PD-ja, për arsye të tyre personale apo politike, ato shtresa që mbase edhe pa një formë organizimi partiak mund të kenë edhe më shumë peshë se një parti politike… Për të vijuar më pas me përpjekjet për afrimin e të rinjve. Ne nuk jetojmë në një kohë (dhe ky nuk është vetëm problem i PD-së) kur të rinjtë kanë një dëshirë të madhe për t’ju bashkuar politikës, ose më keq akoma e duan politikën për të zënë një vend pune nesër. Pra, e duan për të bërë atë katapultimin për mirëqenie personale, gjë që është ta zvogëlosh misionin e politikës në një zyrë pune. Ky nuk është një hall vetëm i PD-së, por i mosbesimit që të gjithë bashkë kemi mbjellë te politika. Do të ishte mirë që edhe ata të rinj që u ftuan dhe janë bashkuar gjatë këtyre viteve të kishin konturuar një grup më të qëndrueshëm, sepse është e vërtetë që kryetari i partisë ka thënë që 35% e listave për kandidat për deputet do të jenë nga të rinjtë, por këtu nuk bëhet fjalë për nocionin moshor, bëhet fjalë për konceptin, cilësinë, pasionin për politikën, dëshirën që kanë për të bërë ndryshim dhe jo intoksikimin për pushtetin e ri, dhe bëhet fjalë edhe me një gjë tjetër që pakkush e përmend sot, bëhet fjalë për një personalitet dhe rithemelim individualiteti politik. Larg atij paternalist. Gjithë ky konfuzion politik sot, vjen edhe prej kësaj se ca të rritur trajtohen si fëmijë. Për ta vendosin të tjerët e pak rëndësi ka se çfarë mendojnë. Unë besoj se të rinjtë sot nuk kanë nevojë të shtojnë numrin e anëtarëve të një partie, për t’u ndjerë nesër viktima të sistemit politik që i konsideron së pari numër e përqindje. Partitë kanë ndryshuar sot. Koha e politikës sot është koha e post të vërtetës në politikë në gjithë botën. Në rast se PD-ja do të vazhdojë të jetë parti e madhe dhe me peshë duhet që të ketë figura me personalitet dhe individualitet politik. Kush nuk e thotë këtë vetëm nuk sheh një të vërtetë të madhe.
Ju i mëshoni idesë se personalitetit dhe individualitetit politik… A keni reflektuar gjatë kësaj kohe në raport me të ardhmen tuaj në PD, e shihni veten brenda apo jashtë saj pas disa muajsh, pavarësisht se në finale kjo nuk varet nga ju?
Më duket se iu përgjigja kësaj pyetje njëherë. Kush merret me politikë është një njeri si ai që nuk do t’ia dijë për politikën, por ka një dallim më të madh për gratë që merren me politikë. Në këtë teatër të politikës, në fakt gratë janë më të vërtetat. Ka momente kur në parti duhet të jesh më shumë i heshtur dhe të durosh ashtu si ka edhe momente sidomos kur je në qeveri ku duhet të kesh më shumë rezultat se sa reflektim. Unë nuk jam njeri që nuk më pëlqejnë sfidat. Në rast se për të zgjedhur ndërmjet të ecurit apo të tërhequrit zvarrë dhe një vrapi të lodhshëm për të mbërritur deri diku, absolutisht do të zgjedh vrapin sado i vështire të jetë dhe sado me pengesa të jetë. Ndoshta mund të jem gabim unë që e shoh veten dhe e projektoj me një shpejtësi tjetër. Dhe meqenëse më pyetët për të ardhmen politike, unë e shoh veten siç jam!
A keni ju një sfidë personale për të garuar përballë Lulzim Bashës për kryetar partie? Basha ka propozuar që mandati i kryetarit të votohet çdo dy vjet…
Duke besuar se si unë, Basha dhe ca të tjerë në PD që jemi një brez që duhet të kemi të njëjtat mendime, nuk besoj se i vjen hidhët shumë se i thua diçka që e mendon ndryshe. Unë nuk kam bërë ndonjë betejë dhe as jam munduar të them gjëra për të konfiguruar apo për të konturuar Majlindën ndryshe, atë më të mirë që mund t’i zërë vendin Bashës. Madje Luli (Basha) ka pasur fatin më të madh që as Berisha nuk e ka pasur si kryetar i PD-së. Sepse realisht ai është zgjedhur dhe ka jetuar në një terren edhe si kryetar i një partie politike ku nuk ka pasur zëra ta kundërshtojnë apo t’i bëjnë ndonjë betejë. Ka qenë komod për të. Dhe e përsëris as Berisha nuk e ka pasur të tillë në fillimet e veta po të shikojmë figurat që ishin atëherë. Unë them që gara e bën një njeri më të fortë. Sfida i jep mundësi një njeriu që të provohet sidomos një kryetari. Interesi i vetëm i imi ka qenë se si të japim mundësinë të gjithë bashkë që t’i shmangim disa kosto të pamerituara PD-së që nuk i takojnë dhe as nuk i shkojnë për shtat vetëm për faktin pse është në opozitë, sidomos kur bëhet fjalë për një përballje me një qeveri që manipulimin e ka artin kryesor. Ky ka qenë i vetmi qëllim.
Keni folur për minuse por çfarë ka bërë mirë kjo qeveri në këto tre vjet qeverisje?
Për të kuptuar nëse ka bërë gjëra të mira është shumë e thjeshtë. Mjafton që t’i krahasosh me premtimet që kanë bërë. Kështu matet qeveria në fund të ditës. Ah, ka dhe një Kartë Parimesh Koalicioni. Do t’ju sugjeroja ta ribotonit, është një listë dëshirash e rrallë në Historinë e Politikës.
A keni ndonjë koment për debatin më të fundit që ka vënë PD-në përballë ndërkombëtarëve lidhur me përkthimin e ligjit të vettingut?
Nuk është hera e parë që e them, por rrjedha e këtyre muajve më ka forcuar bindjen se largimi ynë nga Komisioni i Reformës në Drejtësi, kur diskutohej Ligji i Vettingut ka qenë gabim! Pas atij momenti paqartësitë vetëm u shtuan, ne u bëmë më të paqartë; Gjykata Kushtetuese kërkoi qartësi nga Komisioni i Venecias, dhe sikur ky nivel paqartësie mos të mjaftonte, iu shtua dhe paqartësia e përkthimit! Padrejtësisht për PD një nga ligjet më të rëndësishme të paketës kushtetuese filloi të interpretohej jo për thelbin, por u bë si gardhi që duhet të ndante “reformatorët” me “antireformatorët”. Dhe ky manipulim që qeveria ka 3 muaj të paktën që e bën çdo ditë, është i tepërt dhe vetëm se largon vëmendjen nga thelbi i Vettingut. Unë jam e qartë për rëndësinë që ka zbatimi i tij në përputhje me Kushtetutën e vendit dhe standardet perëndimore, për të mos e lënë Shqipërinë në çarkun e izolimit e të pavëmendjes. Jam e qartë edhe se sa mund duhet që të ndërrosh mendjen e vendeve Europiane që Shqipëria e ka marrë seriozisht fatin e të ardhmes së saj, kur politikanët thonë në fjalime se duan të luftojmë kulturën e pandëshkueshmërisë! Jo më kot quhet Kulturë! Sepse Pandëshkueshmëria është bërë normë! Faji është i të gjithëve, por fajtor s’është asnjëri! Ne na kanë vënë në provë! Jo për letrat! Jo për fjalimet! Jo për përkthimin! Por për të gjetur njerëzit që kanë vullnet e kurajë për ta ndryshuar këtë gjendje!/ Mapo.al