Shqipëria do të përdorë teknologji të avancuara si inteligjenca artificiale për të zbuluar, parandaluar dhe reaguar ndaj sulmeve kibernetike, me të cilat shteti, qeveria dhe ekonomia po përballen në mënyrë të vazhdueshme.
“Ndërsa shikojmë që kemi pasur një rritje të sulmeve, apo të llojshmërisë së sulmeve kibernetike, një pjesë e tyre ditëve të sotme kanë filluar të bëhen edhe nëpërmjet inteligjencës artificiale… AI përdoret për sulmet por duhet të përdoret masivisht edhe për mbrojtjen kibernetike,” tha Floreta Faber, zv/drejtore e Autoritetit Kombëtar për Sigurinë Kibernetike.
Një gjë e tillë është parashikuar në Strategjinë Kombëtare të Sigurisë Kibernetike 2025–2030, ku për herë të parë pjesë e saj është edhe mbrojtja ndaj kërcënimeve hibride, siç është dezinformimi.
“Mis informacioni është një nga problematikat që gjithnjë e më shumë duhet të gjejë mënyrën për ta parandaluar.”
Mbrojtja e infrastrukturës kritike dhe e të dhënave të qytetarëve do të forcohet më tej, ndërsa lista e tyre po zgjerohet.
“Tashmë është mbi 200, është një listë që pritet të aprovohet së shpejti nga KM, deri sot që flasim kemi 159 infrastruktura kritike dhe të rëndësishme.”
Një rëndësi të veçantë do të marrë nxitja e kulturës kibernetike përmes ndërgjegjësimit publik. Kostoja e përgjithshme për zbatimin e strategjisë deri në vitin 2027 shkon në rreth 68 milionë euro.
Vitin e kaluar, në vendin tonë ka pasur 32 incidente që kanë ardhur për shkak të numrit në rritje të sulmeve në fushën e sigurisë kibernetike./ Tv Klan