Gjatë inspektimit të masave në jug të vendit, ministri i Brendshëm Taulant Balla u ndal në zonën e Dhërmiut.
Ai u informua nga strukturat vendore të Policisë, mbi masat në tërësi. Veç sigurisë së turistëve, vëmendje i kushtohet qetësisë dhe parandalimit të ndotjes akustike.
Për këtë, përdoren pajisje teknologjike për të matur në distancë nivelin e zhurmave, ose kur banorët kanë ankesa Policia shkon me pëlqimin e tyre në banesë dhe mat nivelin e muzikës, apo zhurmave, shpjegoi një zyrtar lokal.
Drejtori Vendor i Vlorës Ermal Muça informoi se për një subjekt ka patur gjoba dhe referim në Prokurori, si dhe janë sekuestruar pajisjet që gjenerojnë muzikë.
“Shumë shpejt do të kemi pajisjet për të gjitha qytetet e plazhet. Kontrollet duhen bërë më shpesh dhe pastaj ora 24:00 duhet të jetë e qartë për të gjithë, nuk ka më muzikë. Edhe disa aktivite të planifikuara, si festivale u anuluan për të garantuar barazi mes operatorëve turistikë”, deklaroi ministri Balla.
Subjektet e konstatuara me shkelje do të paralajmërohen e në rast përsëritje do të kalohet tek masa ndëshkimore.
Sektori i Krimit Ekonomik në Polici do të ketë prezencë të shtuar dhe fokus ndaj subjekteve që tentojnë të abuzojnë me pushuesit apo të shmangim detyrimet financiare shtetërore.