Në një intervistë për Sky News, presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino tha se federata botërore e futbollit po shqyrton heqjen e ndalimit për klubet dhe ekipet kombëtare ruse nga pjesëmarrja në të gjitha garat ndërkombëtare, i cili u vendos pas futjes së trupave ruse në Ukrainë.
Gianni Infantino theksoi rëndësinë e “dhënies së mundësisë vajzave dhe djemve nga Rusia për të luajtur futboll në pjesë të tjera të Evropës”.
“Ky ndalim nuk ka arritur asgjë, vetëm ka krijuar më shumë urrejtje dhe frustrim”, theksoi presidenti i FIFA-s, duke shtuar:
“Ne duhet ta përcaktojmë në kushtetutën tonë që nuk duhet ta ndalojmë kurrë asnjë vend të luajë futboll për shkak të veprimeve të udhëheqësve të tij politikë. Mendoj se në botën e ndarë në të cilën jetojmë, ne kemi nevojë për mundësi ku njerëzit mund të bashkohen për pasionin e tyre për futbollin”, tregoi ai.
Ai tha gjithashtu se është kundër një ndalimi të Izraelit, duke thënë se një veprim i tillë do të përbënte një “disfatë”.
Kur u pyet për ata që bëjnë thirrje për bojkot të Kupës së Botës 2026 në SHBA për shkak të shqetësimeve në lidhje me politikat e presidentit Trump për imigracionin dhe çështjet e sigurisë, ai tha se nuk ka kurrë thirrje për bojkot nga bizneset ose në nivel diplomatik.

















