Punonjësit e makinës orientuese “Follow me” të aeroportit të Rinasit dhe ata të automjetit të shërbimit kargo të aeroportit pritet të japin dëshminë e tyre për moskallëzimin e grabitjes në momentin që kanë parë në pistë dy prej autorëve të armatosur duke grabitur makinën me para.
Oficerët e Policisë Gjyqësore do të marrin në pyetje paraditen e së mërkurës 4 punonjësit , të cilët nga ekzaminimi i pamjeve filmike të cilat u publikuan dhe nga Televizoni Klan kanë qenë prezent në fillim dhe gjatë grabitjes së gati 1 milion eurove.
Mosreagimi i tyre për të njoftuar autoritet e sigurisë së aeroportit apo të policisë së rendit do të jetë objekt i hetimit, për të njëjtën çështje.
Në orën 14 e 22 minuta kur njëri prej autorëve i afrohet blindit, në pamje filmike duket makina e orientimit e cila ndodhet përpara blindit, qëndron aty pa lëvizur për 15 sekonda dhe më pas largohet duke dalë mbrapa avionit që ndodhet në pistë.
30 sekonda më pas në ballë të blindit vjen makina tjetër e shërbimit kargo, e cila sheh çfarë po ndodh por sërish sipas grupit hetimor nuk lajmëron dhe për 15 sekonda të tjera bën një lëvizje në drejtim të mjetit tip benz dhe më pas largohet duke mos njoftuar strukturat e policisë. Autorët kanë hyrë në pistë rreth orës 14 e 23 minuta dhe kanë dalë në orën 14 e 27 minuta nga aeroporti.