Zoti Tsahkna tha të enjten se dëmtimet në instalimet nënujore në rajon janë shpeshtuar, sa është e vështirë të besohet se të gjitha janë shkaktuar nga aksidentet ose mosmirëmbajtja.
Incidentet shfaqin nevojën për të përditësuar ligjin e vjetër detar, që specifikisht e bën të jashtëligjshëm dëmtimin e infrastrukturës nënujore, tha ministri i Drejtësisë së vendit për Reuters të premten.
Shkëputja e linjës ‘Estlink 2’ që ka fuqinë e 658 megavatëve ndodhi pasditën e së mërkurës, duke e lënë në funksion vetëm linjën ‘Estlink 1’ me fuqi prej vetëm 358 megavatësh, që lidh Finlandën dhe Estoninë, kanë thënë operatorët e rrjetit të energjisë elektrike të vendit.
Hetuesit finlandezë besojnë se anija e sekuestruar – një anije e regjistruar në ishullin Kuk me emrin ‘Eagle S’ – mund të ketë shkaktuar dëmin duke tërhequr spirancën e saj përgjatë shtratit të detit, një nga disa incidente të tilla në vitet e fundit.
Presidenti finlandez tha se ndalimi i anijes ‘Eagle S’ ishte i domosdoshëm për të parandaluar dëmet e mëtejshme.
Shërbimi doganor i Finlandës ka thënë se beson se anija ishte pjesë e të ashtuquajturës ‘flotë në hije’ e anijeve të vjetëruara që synojnë të shmangin sanksionet për shitjen e naftës ruse.
Por, kryeministri finlandez Petteri Orpo, i pyetur për anijen ‘Eagle S’, tha të enjten se është shumë herët për të thënë nëse Rusia ka luajtur ndonjë rol në dëmtimin e kabllove./voa