SARANDË- Raportohet për një incident në ujërat tona territoriale në jug të vendit, në Sarandë. Sipas gazetarëve lokalë, anija e rojës bregdetare greke është futur brenda ujërave tona duke ndaluar peshkarexhen “Mario 1” të kompanisë “Fama” në Sarandë.
Sipas peshkatarëve ata kanë qenë 1.3 milje larg ujërave greke dhe 1.6 milje larg gjirit te Manastirit dhe 2.1 milje nga marina e Sarandës.
Peshkarexha shqiptare “Mario 1” është kthyer në bazë. Kapiteni denoncon se ky është rast i përsëritur. Lajmi është publikuar nga gazeta Panorama.
Sakaq, Opinion.al u interesua të merrte një deklaratë zyrtare pranë Ministrisë së Mbrojtjes dhe asaj të Brendshme. “Deri më tani nuk ka një denoncim për incident në ujërat tona, apo shkelje nga ana e palës greke”, thonë ata.
Ndërsa burime konfidenciale thanë se peshkarexha jonë ka qenë në ujërat neutrale dhe roja bregdetare greke i ka sinjalizuar të mos kalojnë kufirin. Peshkarexha jonë ka njoftuar rojen tonë bregdetare e cila ka komunikuar me kolegët grekë. Gjithsesi kjo është një situatë që duhet hetuar.