Në qershor dhe nëntor të vitit të kaluar kemi transmetuar rastin e zonjës Shqiponja Mashi, e cila ka treguar se në vitin 2019, në Shkodër, ka qenë me vajzën me motor dhe ka bërë një aksident.
Për pasojë vajza u dëmtua dhe ndenji 3 muaj regjim shtrati. Zonja iu drejtua një procesi gjyqësor me avokat Ndue Gjelaj dhe arriti të fitojë dëmshpërblimin në masë 54 milionë lekë të vjetra, por Shqiponjës i kaluan vetëm 8 milionë lekë.
Për pjesën tjetër avokati nuk jepte sqarime. U rikthyem me Shqiponjën e cila na tha se jo vetëm nuk kishte marrë shpërblimin, por se avokati Ndue Gjelaj i bëri edhe padi për shpifje.
“Unë u takova dhe njëherë me avokat Ndue Gjelën në shtator, u takuam në një kafe. Fjala e tij ishte: ‘zonja Shqiponja ne jemi bashkë këtu për të pirë kafe, muhabetet po i lemë këtu, vajza sa të bëjë 18 dhe një ditë unë t’i fus paret deri në kacidhen e fundit’. Ia besova. Ka dy javë që ka mbushur 18, e mora në telefon. Më tha: ‘Ik moj b*çe mos më çaj tr**in’. Ma mbylli telefonin. Pas dy jave më erdhi letra që më kishte bërë padi penale për shpifje të ‘Stop’. Kam gjyqin që më ka bërë padi. Për shpifje, nuk e di çfarë kam shpifur. Vlera monetare është 19 milionë që akoma nuk m’i ka kaluar në llogarinë e vajzës”, tha ajo.
Pas dy transmetimeve në emisionin “Stop” në Tv Klan, Shqiponja na thotë se avokati Ndue Gjelaj ia ka kaluar paratë vajzës së saj
Gazetarja: Flasim dhe njëherë, këtë radhë do të flasim nëpërmjet telefonit, sepse problematika juaj prej kaq kohësh mori fund! Avokati Ndue Gjelaj vendosi që ato para që i mbante peng në llogarinë e tij, t’ia kalonte vajzës tuaj, ashtu siç i takonte. Është e vërtetë kjo besoj?
Shqiponjë Mashi: Po, po e vërtetë. Ne i morëm, faleminderit shumë “Stopit”, faleminderit Domenika, je e mrekullueshme. Kështu që ne s’kemi asnjë problem tjetër me avokatin Ndue Gjelaj. Paratë kanë kaluar në llogari të vajzës, shumë faleminderit!