Policia e Vlorës ka dhënë informacion zyrtar lidhur me ngjarjen e ndodhur këtë të hënë në Vlorë, ku si pasojë e një sherri mes dy personave, njëri prej tyre mbeti i vdekur.
Ngjarja e rëndë ndodhi rreth orës 11:45, në lagjen “Hajro Çakërri”, në një qendër internet, ndërsa mësohet se viktima është identifikuar si shtetasi Armando Memshani.
“Rreth orës 11:45, në lagjen “Hajro Çakërri”, në një qendër interneti, 2 shtetas janë konfliktuar me njëri-tjetrin dhe gjatë konfliktit shtetasi Armando Memshani, rreth 55 vjeç, për shkak të dhunës fizike (goditjeve me grushte), ka humbur jetën.
Shërbimet e Policisë kanë shkuar menjëherë në vendngjarje.
Nga veprimet e shpejta është bërë identifikimi i autorit dhe vijon puna për kapjen e tij.
Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe vijon punën për sqarimin e plotë të rrethanave të këtij rasti”-njofton policia.