Kryeministri Edi Rama nuk e ka kursyer opozitën as në rubrikën e tij virtuale “Sy m’Sy”, duke e cilësuar “kënetë me bretkosa me bufin stërplak në krye”. Këtë lloj gjuhe të kreut të qeverisë, deputeti demokrat Dashnor Sula e cilësoi “bullizim ekstrem, e për të ardhur keq”.
Përmes një lidhjeje Skype për Klan News, Sula tha se Rama duhet të ishte i pari që të kërkonte bashkëpunim me kundërshtarët politikë, por në fakt ka bërë krejt të kundërtën.
“Përgjegjshmëria që duhet të ketë kryeministri i gjithë shqiptarëve nuk është kjo gjuhë, kjo sjellje. Ai që është gjithmonë më i fuqishëm në të gjitha format, është ai që shtrin dorën dhe kërkon paqe e bashkëpunim. Ne faktikisht, kemi marrë një pështymë fytyrës në çdo çast dhe kjo mua më shqetëson. Tha buf plakaruq, me këtë gjuhën e bullizmit ekstrem, sikur s’do bëhet ndonjëherë vetë 80 vjeç Edi Rama. E ka shkrujt ai kur e ka orën…Kjo është për të ardhur keq”, u shpreh Sula./tvklan.al