Në një konferencë të përbashkët me drejtuesit e OSHEE, ministrja Belinda Balluku i është drejtuar qytetarëve me një thirrje për të kursyer energji.
Ministrja e Energjisë iu adresua edhe qytetarëve për t’iu kërkuar të mos shpërdorojnë energjinë përgjatë këtyre ditëve të nxehta.
“Dua të përfitoj nga rasti që të ju bëj thirrje qytetarëve. E kemi shumë të qartë që këto temperatura duhen patjetër shoqëruar me përdorimin e kondicionerit dhe çdo gjëje tjetër që lehtëson situatën. Eficenca energjetike është ajo çfarë na ndihmoi dhe në shpëtoi në 2022-shit. Edhe entitetet private, por edhe qytetarët duhet të jenë shumë të kujdesshëm për të ruajtur sa më shumë energjinë elektrike. Nga ana tjetër, gjithçka që është e panevojshme nuk duhet përdorur. Kemi disponibilitet të sasive energjetike, niveli i Fierzës vazhdon të jetë i lartë. Ky është një nga vitet më të mirë që kemi. Qytetarët duhet të jenë të kujdesshëm me përdorimin e energjisë”, tha Balluku.
Aktualisht janë rreth 1,100 punonjës të dedikuar në terren vetëm për zonat turistike, me një numër të madh grupesh për kontrollin e problematikave të raportuara, por edhe për lidhjet e paligjshme./Opinion.al