Gjykata për Krimet e Rënda ka vulosur një dënim me 24 vjet heqje lirie për një 48-vjeçar të akuzuar për tentativën e vrasjes së bashkëshortes së tij. Ngjarja e ndodhur në qershor të vitit të kaluar në Durrës ka pasur si motiv kërkesën për divorc nga ana e bashkëshortes së të pandehurit Lutfi Beli, që nuk është pritur mirë prej tij.
I pandehuri Beli u shpall fajtor për akuzën e “vrasjes për shkak të marrëdhënieve familjare”, mbetur në tentativë. Në përfundim të një procesi të zhvilluar me kohë të shkurtuar një pesëshe gjykuese e Krimeve të Rënda vlerësoi të provuar akuzën e ngritur ndaj 48-vjeçarit.
“Bazuar në nenin 406/1 të Kodit të Procedurës Penale, të pandehurit Lutfi Ahmet Belit i ulet një e treta e dënimit dhe dënohet përfundimisht me 16 vjet burgim”, thuhej në dispozitivin e vendimit.
Ngjarja në të cilën është përfshirë i pandehuri ka ndodhur në hyrje të qytetit të Durrësit, pranë Stacionit të Trenit. Pas një konflikti verbal që ai ka pasur me bashkëshorten e tij, ai e ka goditur atë më grushte dhe me shkelma.
Në vijim, ai dyshohet se e ka qëlluar atë më një mjet prerës, duke i shkaktuar 15 plagë në trup.
Pas këtij veprimi i pandehuri është larguar nga vendi i ngjarjes. E dëmtuara, e lënë e plagosur rëndë në rrugë, është transportuar në fillimisht në spitalin e Durrësit e madje, për shkak të plagëve të rënda, në kryeqytet, ku pas ndërhyrjes së mjekëve ka kaluar rrezikun për jetën./Panorama