Dy inspektorë të Tatimeve janë dhunuar fizikisht nga një parukiere në Tiranë. Incidenti i dhunshëm është shënuar në gusht të vitit 2015, në një parukeri pranë zonës së ishBllokut, gjatë aksionit kundër informalitetit.
Debati mes parukieres dhe dy inspektoreve femra ka pasur si shkak nisjen e procedurës së gjobës për mungesën e kasës fiskale.
Fjalët i kanë lënë shpejt vendin fyerjeve nga ana e parukieres në drejtim të inspektoreve e më tej deri në përdorimin e forcës.
Pak ditë më parë, Gjykata e Tiranës ka shpallur fajtore “protagonisten” e ngjarjes, parukieren Elvira H., për akuzën e “goditjes për shkak të detyrës”.
Ajo u dënua me 6 muaj burg, por nuk do të qëndrojë asnjë ditë në qeli. Gjykata vendosi pezullimin e dënimit me burg, duke e lënë në liri me kusht të pandehurën për një periudhë prej 18 muajsh.