Është një grup i vogël hetuesish me në krye drejtorin e Policisë së Shkodrës, Niko Brahimaj, që ka marrë në dorë ekzekutimin mafioz të vëllezërve Astrit dhe Brahim Bilali.
Një burim nga policia e Shkodrës, i tha Opinion.al se deri tani hetimet janë hermetike, ndërsa mbikëqyren dhe nga ekspertë nga Tirana. Kjo pasi ka dyshime të forta për dekonspirim nga policia lokale.
Shpresat që të zbardhet ngjarja janë të shumta, pasi autoritetet kanë gjetur prova në automjetin me të cilin autorët, u larguan pas vrasjes.
Në automjetin “Mercedes Benz” i cili rezultoi i vjedhur por nuk u dogj plotësisht, janë mbledhur disa prova materiale që mund të çojnë në identifikimin e vrasësve.
Provat nga të cilat mund të ndërtohen profile ADN-je por edhe gjurmë gishtash ndodhen tashmë në laboratorin shkencor të Policisë së Shtetit ndërsa blutë e Shkodrës janë të pritje të rezultateve.
Pasi qëlloi nga automjeti, sipas rindërtimit të ngjarjes, autori iu afrua dy vëllezërve duke i qëlluar dhe në kokë për tu siguruar që kishin vdekur.
Ekzekutimi i babait dhe xhaxhait të ish-kampionit të boksit Astmer Bilali e ka çuar në 9 bilancin e të vrarëve, në 9 muajt e fundit në qytetin e Shkodrës./Opinion.al