Policia e Vlorës ka arrestuar shoferin e automjetit, i cili shkaktoi aksidentin e 5-fishtë në qytetin bregdetar.
Sipas njoftimit të bluve, automjeti tip “Mercedes-Benz”, me drejtues shtetasin Kelian Llakaj, ka përplasur fillimisht tre mjete dhe, gjatë lëvizjes për t’u larguar nga vendi i ngjarjes, ka goditur edhe një tjetër mjet
Pas 30 minutash ndjekje, drejtuesi në gjendje të dehur ka aksidentuar gjithashtu motomjetin e ‘Shigjetave’ si dhe automjetin e ‘Shqiponjave’ duke vënë ne rrezik serioz jetën e tyre.
Njoftimi i policisë:
Vlorë/Në gjendje të dehur në drejtim të automjetit, përplas disa mjete dhe tenton t’i largohet Policisë, kapet dhe ndalohet pas ndjekjes 34-vjeçari.
Sot, rreth orës 19:50, në rrethrrotullimin e Çoles, në lagjen “1 Maji”, shtetasi K. Ll., 34 vjeç, banues në Vlorë, duke drejtuar automjetin tip “Benz” në gjendje të dehur, ka përplasur fillimisht tre mjete dhe, gjatë lëvizjes për t’u larguar nga vendi i ngjarjes, ka goditur edhe një tjetër mjet me drejtuese shtetasen A. K., rreth 50 vjeçe, e cila ndodhet në spital, jashtë rrezikut për jetën.
Menjëherë pas marrjes së këtij informacioni, shërbimet e Policisë janë vënë në ndjekje për ndalimin dhe kapjen e tij. Pas lokalizimit të 34-vjeçarit, ky i fundit ka tentuar t’i largohet shërbimeve të Policisë duke manovruar me shpejtësi dhe goditur dy mjete të Policisë, duke vënë në rrezik jetën e efektivëve.
Pas ndjekjes së vazhdueshme nga Policia, në një zonë jashtë qendrave të banuara, për të shmangur rrezikun për drejtuesit e tjerë të mjeteve apo kalimtarët e rastit, u bë e mundur ndalimi i drejtuesit të automjetit, shtetasit K. Ll., i cili u shoqërua menjëherë në komisariat për veprime të mëtejshme.
Grupi hetimor vijon punën për sqarimin e plotë të rrethanave dhe dokumentimin e plotë ligjor të kësaj ngjarjeje.