Përveç dëmtimit moral, pasi këtu futet edhe imazhi i kuqezinjve, ky rast i paprecedentë pati një kosto jo të vogël për institucionin e futbollit.
Burime të “Panorama Sport” pranë federatës treguan dje se janë dashur të shpenzohen edhe 50 mijë euro të tjera nga shuma e parashikuar për udhëtimet e skuadrës në dy transferta.
Të ndodhur në një situatë të pazakontë dhe në një kaos sa i përket ndryshimit të axhendës, presidenti Armand Duka urdhëroi prenotimin e një avioni çarter për udhëtimin drejt Luksemburgut si në vajtje ashtu edhe në ardhje.
Mirëpo, problem nuk ishte vetëm fakti se u dogjën biletat e udhëtimit VjenëLuksemburg me kompaninë ajrore “Lux Air”, e cila operon me “Austrian Airlines”.
Një hall më shumë ishte fakti se duke humbur avionin e vajtjes, në këtë mënyrë digjeshin edhe biletat e prenotuara nga FSHF për kthimin në Shqipëri apo vende të tjera për futbollistët e Kombëtares.
Situata e pazakontë në aeroportin e Vjenës solli një amulli të vërtetë sa u përket biletave dhe udhëtimeve postndeshjes në Luksemburg.
Gjithsesi, sektori që merret me udhëtimet e kuqezinjve në FSHF, bëri të mundur edhe një herë prenotimin e të gjitha biletave për lojtarët, në mënyrë që ata të mos kenë probleme gjatë kthimit në vendet ku luajnë. Për ata që do të kthehen në Shqipëri pas ndeshjes me Luksemburgun, gjithçka u zgjidh me çarterin e vënë në dispozicion për këtë transfertë.
Në qëndrimin zyrtar të federatës, kjo e fundit akuzonte kompaninë ajrore për atë që ndodhi në Vjenë, madje duke theksuar se do ta ndjekë këtë çështje ligjërisht.