Për të shmangur ngecjet në proceset integruese që mund të shfaqen nga situata aktuale politike në të cilën ka hyrë Kosova, vendi duhet të shkojë në zgjedhje të parakohshme, thotë ministrja në dorëheqje e Integrimit Europian Dhurata Hoxha.
Në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, Hoxha thekson se është e rëndësishme të mos lejohet një vakum institucional pasi që janë shumë procese të rëndësishme integruese të cilat duhet të vazhdojnë.
“Në situatën në të cilën gjendemi po e shohim se zgjedhjet janë të pashmangshme, është krijuar një situatë ku qytetari duhet ta thotë fjalën e vet dhe ta legjitimojë Qeverinë e re e cila do t’i prijë proceseve në të cilët jemi e që janë shumë të rëndësishme për vendin tonë“.
“Zgjedhjet janë një proces që edhe vendet tjera kanë kaluar, zgjedhjet e parakohshme ndodhin edhe pse nuk është dashur, por pa marrë parasysh jemi në një situatë ku zgjedhjet janë të pashmangshme dhe unë besoj që sa më shpejtë të mbahen ato do ta eliminojnë apo kufizojnë zvarritjen e reformave”, thotë Hoxha.
Marrëveshja e Stabilizim Acocimit (MSA), thekson Hoxha dhe reformat që kërkohen nga kjo marrëveshje duhet të vazhdojnë të zbatohen, pasi që edhe ashtu, shton Hoxha, nuk ka pasur një dinamikë të duhur.
Marrëveshja e Stabilizim Acocimit (MSA) është marrëveshja e parë dhe e vetme kontraktuale ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian, e cila ka hyrë në fuqi më 1 prill të vitit 2016. Kjo marrëveshja obligon Kosovën që të bëjë reforma në sektorin e sundimit të ligjit, siç është pavarësia e Gjyqësorit dhe luftimi i korrupsionit, pastaj kërkon edhe reforma në ekonomi, arsim, shëndetësi dhe në shumë fusha të tjera.
Në tremujorin e parë të këtij viti, bazuar në Programin kombëtar për zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit, del se 30 për qind e masave janë zbatuar plotësisht, ndërsa 70 për qind nuk janë zbatuar dhe përballen me vonesa serioze.
Zgjedhjet e parakohshme parlamentare, sipas Hoxhës janë të domosdoshme, pasi që në këtë gjendje politike në të cilën gjendet vendi do të ketë shtyrje të miratimit të ligjeve të cilat janë të domosdoshme për reformat në procesin e integrimit.
“Ka ardhur koha që pashmangshëm të shkojmë në zgjedhje në mënyrë që edhe zbatimi i MSA-së të vazhdojë. Shtetit i nevojitet një qeveri që do të shtyjë dhe do të dinamizojë procesin e integrimit evropian”, thotë Hoxha.
Ndërkohë nga ekspertë të integrimeve konsiderohet se gjendja politike në të cilën ka hyrë Kosova pas dorëheqjes së Ramush Haradinajt nga pozita e kryeministrit, do ta vë në pezullim edhe procesin edhe ashtu të ngadaltë integrues të Kosovës për në Bashkimin Evropian.
Demush Shasha nga Instituti i Kosovës për Politika Evropiane (EPIK), ka thënë për Radion Evropa e Lirë se reformat në sistemin e drejtësisë dhe fushat tjera që kërkohen në procesin e integrimit evropian do të shënojnë ngecje për shkak të situatës politike të krijuar në vend.
Ai thotë se Qeveria në dorëheqje, edhe ashtu ka pasur një performacë të dobët në proceset integruese, por, që tani në situatën politike në të cilën ndodhet vendi, sipas tij, do të jetë edhe më e vështirë.
“Duke marrë dy kritere, Marrëveshjen e Stabilizim Asocimit (MSA) dhe liberalizimin e vizave, mund të themi se Qeveria e dorëhequr gjatë mandatit të saj nuk ka arritur të tregojë progres në fushën e integrimit evropian”, thotë Shasha.
“Tani kur Qeveria është në dorëheqje kjo ndikon negativisht në procesin e integrimeve evropiane. Nëse deri më sot kemi pasur ecje të ngadaltë në fushën e integrimit, tani do të kemi një pezullim të procesit. Duke pasur parasysh organizimin e zgjedhjeve, mbajtjen e tyre, pastaj konstituimin e institucioneve të reja, unë mendoj se nuk do të kemi asnjë zhvillim së paku për një vit në proceset integruese”, thotë Shasha.
Ramush Haradinaj, ka dhënë dorëheqje nga pozita e kryeministrit më 19 korrik, pasi që kishte marrë ftesë për intervistim nga Gjykata Speciale në Hagë, në cilësinë e të dyshuarit.
Pas kthimit nga Haga, Haradinaj i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese të Kosovës me kërkesën për “definimin e kompetencave dhe funksionit të qeverisë, pas dorëheqjes së tij. Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka afat ligjor prej 60 ditësh për t’i dhënë një përgjigje kryeministrit në dorëheqje Ramush Haradinaj. / REL