Nga Lulzim Basha, Kryetar i PD
Do të falënderoj folësit e ftuar deri tani që na risollën disa prej emocioneve,
Falënderoj gjithsecilin prej jush zonja dhe zotërinj të pranishëm këtu në këtë ceremoni përkujtimore, ata dhjetëra apo qindra që ndodhen sot jashtë për shkak se kjo sallë kaq zë,
Zoti ambasador,
Të nderuar përfaqësues rë trupit diplomatik,
Përfaqësues dhe drejtues të opozitës dhe të Partisë Demokratike,
Ish -studentë të grevës së urisë, të përndjekur politikë, intelektualë, qytetarë të Tiranës,
Siç e thanë edhe parafolësit sot nderojmë me krenari por edhe emocion të madh në vargun e ngjarjeve që ndryshuan historinë tonë në 25 vite më parë: rrëzimin e shtatores të diktatorit Enver Hoxha nga qytetarët e Tiranës, nga çunat e Tiranës, punëtorë, intelektualë, të përndjekur politikë, studentë, të rinj, sidomos të rinj.
Sa herë kujtojmë përballjen madhështore të 20 shkurtit 1991, mendja e gjithsecilit prej nesh numëron dhe rinumëron vetvetiu sekondat plot emocion të papërshkrueshëm të tërheqjes së monumentit hijerëndë nga demostruesit heronj.
Tundjen, hepimin, shembjen përdhe të simbolit të diktaturës si rrëzimi i epokës së shtypjes dhe izolimit gjysëmshekullor.
Thirrjen e madhe që pushtoi sheshin “Skënderbej” dhe përhap anembanë qytetit dhe anembanë Shqipërisë, anembanë Europës e anembanë botës
Ishte ora e frymëmarrjes së lirë, ora e çlirimit të shqiptarëve nga thundra dhe hija e tiranisë.
Zonja dhe zotërinj,
Rrëzimi i monumentit të Enver Hoxhës 25 vite më parë është padyshim ngjarja që i foli më shumë se çdo ngjarje tjetër botës për Shqipërinë, për popullin tonë, për historinë tonë gjysëmshekullore; është ngjarja që i tregoi botës se në Shqipërinë e shndërruar në burg për qytetarët e saj nga regjimi më i egër, më shtypës në Europë, prapë se prapë jetonin njerëz që nuk ishin nënshtruar, nuk ishin prishur nga varfëria, nga dajaku, nga dogma, nga propaganda dhe masmedia; se jetonte një rini e guximshme, në vlim, shpërthyese, e vendosur deri në flijim për të fshirë nga faqja e vendit diktaturën dhe simbolet e saj, e etur për Shqipërinë si gjithë Europa.
Rrëzimi i shtatores së diktatorit është monumenti ynë i kurajos qytetare, i nderit qytetar, është ngjarja që rriti respektin për shqiptarët në botën e lirë.
Nëse do të përfytyronim një panair të lirisë, një panair ndërkombëtar të lirisë Shqipëria do të përfaqësohej aty me dinjitet nga 20 shkurti i vitit 1991, me qytetarët e saj që sulen përpara në mes terrorit policor, armëve dhe kërcënimeve për të rrëzuar me çdo çmim simbolin e diktaturës.
Nderim dhe mirënjohje të pakufishme për të gjithë ata që u derdhen në shesh atë ditë, njerëz të thjeshtë shumica prej tyre, njerëz që nuk u del emri në gazeta dhe në kujtime, njerëz që historia i mban në anonimatin e lëvizjeve popullore, por pa të cilët nuk mund të ketë fitore.
Ata e dinë se kanë qenë në shesh atë ditë 25 vite më parë, e dinë se kanë marrë pjesë dhe kanë dhënë kontributin e tyre për fitoren e madhe. Dhe kjo ju mjafton e ju tepron të ndihen qytetarë para ndërgjegjes dhe trashëgimtarëve të tyre.
Nderim dhe mirënjohje të pakufishme gjithashtu për studentët, për sindikalistët, opozitarët dhe intelektualët që ideuan, frymëzuan, morën pjesë dhe drejtuan rrëzimin e monumentit.
Atë ditë nuk ra vetëm një shtatore bronzi, por një model i të keqes, një mishërim i doktrinës çnjerëzore të shtypjes, të dhunës, të luftës së klasave, të shpronësimit, të kolektivizimit, të izolimit, të varfërisë dhe mjerimit proverbial, të mohimit absolut të çdo lirie dhe të drejte njerëzore. Sepse Enver Hoxha ishte kreu i së keqes që iu mori qytetarëve pronën, lirinë dhe besimin në Zot.
Zonja dhe zotërinj,
Demokracia është e papajtueshme, alergjike dhe e pashartueshme me çdo element të diktaturës, aq më pak me simbolet e saj. Ky është mësimi i madh i 20 shkurtit 1991.
Është një mësim i vyer që udhëton në kohë dhe nga një brez në tjetrin. Është një mësim që përcakton vijën ndarëse mes Shqipërisë së re demokratike nga Shqipëria e vjetër hoxhiste dhe reminishencat e saj.
Në këtë 25- vjetor, 20 shkurti ndan sërish dy modele, dy botë, dy rrugë për të ardhmen e vendit – Ne që shikojmë dhe mësojmë nga modeli i demokracive perëndimore dhe kundërshtarët tanë që kanë në mendje, pavarësisht se mundohen ta fshehin, adhurimin për modelin e diktatorit.
Kjo nuk është retorikë. Siç u tha sot disa herë qeveria e sotme, pasi injoroi sa mundi festimet kombëtare për 25- vjetorin e Lëvizjes Demokratike në dhjetor të vitit të kaluar, nuk tha asnjë fjalë të vetme për ngjarjet shkurorëzuese të Enver Hoxhës në shkurt të vitit 1991, nuk organizoi asnjë veprimtari përkujtimore për 20 shkurtin epik.
Si është e mundur? Në cilin vend të hapur të botës mund të ndodhë që qeveria të heshtë për një ngjarje kaq të madhe dhe kaq të rëndësishme, kaq lavdi plotë për historinë dhe qytetarët e vendit që ajo qeveris?
Heshtja e mbajtur nga qeveria dhe shefi i saj Edi Rama është e turpshme, është provokuese, është e dënueshme, është ogurzezë, është një heshtje që flet, flet shumë për raportin e tyre të vërtetë me trashëgiminë hoxhiste.
Atyre nuk iu bën zemra; nuk mund të lartësojnë aktet e trimërisë të qytetarëve shqiptarë, siç është 20 shkurti.
Në vend të një populli që përballet me të keqen, duan një popull që konformohet me të keqen, që mënjanohet, trembet dhe struket.
Ata promovojnë nënshtrimin në vend të mesazheve dhe shembujve të lirisë; ata investojnë shuma kolosale për propagandë dhe trushplarje me qëllim që të fshehin dështimet në abuzimet e tyre të jashtëzakonshme. Modeli i tyre është përdorimi antiligjor i pushtetit, është represioni ndaj qytetarëve në një anë dhe pasurimi i shfrenuar për vete dhe për klientët e oborrit të tyre në anën tjetër. Me një synim: me forcën e pushtetit dhe parasë së tyre të vënë nën kontrolli të tyre gjithçka, të çimentohen në pushtet si oligarkë, pavarëissht si jetojnë, si mbijetojnë, si mundohen, si vuajnë dhe çfarë mendojnë shqiptarët.
Ata i konsiderojnë paratë e shqiptarëve si t’i kishin paratë e tyre. Ata po i hedhin paratë e shqiptarëve në koncesione korruptive që nuk janë parë e nuk janë dëgjuar, prej nga marrin bashkë me ortakët dhe klientët e përzgjedhur prej tyre pjesën e luanit. Thërrimet për qytetarët i konsiderojnë dhurata të qeverisë dhe nuk kanë turp të kërkojnë mirënjohje dhe lavdi publike për këtë. Njëlloj si paraardhësit e tyre politikë.
Në çdo gjë që bëjnë dhe thonë ata nuk na lënë të harrojmë dhe ne nuk harrojmë se ndërsa në një Shqipëri të lirë, anëtare e NATO-s dhe kandidate në Bashkimin Europian, hoxhizmi, diktatura dhe ideologjia komuniste nuk mund të kthehen si qëmoti, qeveria e idhtarëve të pushtetit absolut njësohet me hoxhizmin si praktikë qeverisjeje.
Rama-Meta është në thelbin e veprimit të saj një qeveri neohoxhiste, që nuk mund të sjellë Enverin, por ka sjellë asfiksimin e ekonomisë, goditjen e pronës dhe lirive të qytetarëve, arrogancën dhe arbitraritetin e shkollës së vjetër antidemokratike. Është qeveria që operon përmes frikësimi, qeveria që dhunon dhe plaçkit pasuritë publike dhe individuale për interesa vetjake dhe kupolës.
Për të gjithë shqiptarët që duan dhe nderojnë liritë, ligjin dhe punën e ndershme, kjo qeveri është një devijim i madh dhe i pabesë nga akti madhështor i 20 shkurtit 1991.
20 shkurti është himni qytetar i lirisë. Si i tillë, ndërsa ka përcaktuar dhe përcakton udhëtimin e pakthyeshëm perëndimor të Shqipërisë, 20 shkurti, me vlerat që mbart, nuk është thjesht histori, por është sërish në betejë, sërish përballë të keqes, në radhë të parë përballë monumenteve të reja të arbitraritetit, krimit dhe korrupsionit në sistem.
Nuk janë monumente bronzi, e dimë. Por rrugë të mesme nuk ka: ose shqiptarët do të rrëzojnë të keqen që ka zënë qoshen e qeverisjes, ose e keqja do t’i mposhtë dhe degradojë ata.
Liria nuk mund të bashkëjetojë në paqe me krimin dhe korrupsionin në sistem. Liria nuk mund të mundet. Shqiptarët nuk manipulohen, nuk frikësohen, nuk mashtrohen. Shqiptarët, sikundër popujt e tjerë, kanë krijuar në histori majat e tyre të cilave u referohen në sfidat me të cilat përballemi.
20 shkurti i vitit 1991 është një maje e tillë për ne, nga më të lartat që kemi. 20 shkurti është pasuri e paçmuar. Ai na mëson pareshtur se hoxhizmi si praktikë pushteti, hoxhizmi që trashëgohet apo imitohet nga nipërit, pasuesit apo idhtarët e tij politikë, maniakë abuzivë të pushtetit, nuk duhet të jetë kurrsesi pjesë e modeleve tona të qeverisjes.
Ndaj në këtë 25- vjetor të 20 shkurtit të lavdishëm, në këtë ditë nderimi, kujtimi dhe reflektimi, me lejoni t’i drejtohem edhe një herë mbarë qytetarëve shqiptarë e në veçanti rinisë shqiptare:
Le ta bëjmë 20 shkurtin një standard të papajtueshmërisë me të keqen!
Le të jetë 20 shkurti emblemë e lidhjeve tona me vlerat e lirisë dhe demokracisë perëndimore!
Le të jemi në këmbë, të jemi të bashkuar për fitoren e shpejtë e të sigurtë të këtyre vlerave!
Rroftë liria!
Zoti e bekoftë Shqipërinë!