Mijëra mësues dhe nxënës në gjithë vendin të cilët punojnë apo ndjekin shkollën në institucionet arsimore parauniversitare që ndodhen në njësi administrative të tjera, prej disa muajsh nuk kanë përfituar më nga shërbimi i transportit, pasi sipas VKM-së nr. 682, datë 29.7.2015 i ndryshuar, përllogaritjet e përfituesve nuk janë më të njëjtat.
Sipas këtij vendimi, pagesën e transportit e përfitojnë vetëm punonjësit mësimorë të arsimit parauniversitar që punojnë më shumë se 5 kilometra larg nga kufiri i njësisë administrative ku jetojnë.
Me këtë vendim, duket se janë përjashtuar nga ky shërbim të gjithë ata mësues apo nxënës që, pavarësisht se udhëtojnë më shumë se 5 kilometra në ditë për të arritur në institucionin arsimor ku punojnë apo mësojnë, largësia mes kufirit të njësisë administrative ku banojnë me shkollën është më e vogël se distanca e parashikuar në VKM.
Duke qenë se qendrat e mëdha urbane dhe zonat rurale kanë shtrirje gjeografike prej disa kilometrash mjaft mësues janë të detyruar të përshkruajnë distancën prej 5 kilometrash të parashikuar në VKM brenda territorit të njësive administrative ku jetojnë.
Por, bazuar në këtë VKM, kjo largësi nuk përllogaritet më dhe mësuesit e nxënësit që ndodhen në kushte të tilla nuk e përfitojnë më pagesën e shërbimit të transportit, duke shpenzuar nga të ardhurat e tyre për të arritur vendin e punës apo të mësimnxënies.