Rikualifikimi i hapë- sirave në të dyja anët e rrugës “Pavarësia”, që lidh Urën e Dajlanit me Plepat në Durrës, po shkakton probleme tejet të rënda në qarkullimin e automjeteve dhe dëmton bizneset që me padurim pritën sezonin turistik veror për të ushtruar aktivitetin e tyre.
Për këto dy arsye, por edhe që mjetet e rënda të mos shqetësojnë pushuesit, pritet që të ndërpriten punimet për të rifilluar pas përfundimit të sezonit turistik, në muajin shtator.
Gjatë një mbledhjeje me institucionet e përfshira në mbarëvajtjen e sezonit turistik, kryetari i Bashkisë Durrës, Vangjush Dako, konfirmoi ndërprerjen e punimeve pas pak ditësh, ndërsa garantoi të gjithë pushuesit që do të frekuentojnë plazhin se do të gjejnë infrastrukturën e nevojshme për një qytet bregdetar si Durrësi.
Sipas kreut të bashkisë, i cili u sulmua nga bizneset dhe opozita, punimet do të ndërpriten në muajt korrik-gusht, me qëllim që të mos jenë pengesë për pushuesit që do të frekuentojnë bregdetin e Durrësit, i cili dita-ditës po humbet pushuesit e tij tradicionalë nga Maqedonia dhe Kosova, apo që jetojnë në vende të tjera shqipfolëse.
Dako shtoi se ndonëse në Plazh kanë nisur tre investime nga Banka Botërore, Ujësjellësi dhe Bashkia, gjatë muajve të verës, në korrik dhe gusht, punimet do të ndërpriten.
Dako ka bërë të ditur gjithashtu se me këto investime zgjidhet përfundimisht problemi i ujërave të zeza, uji i pijshëm dhe vitin e ardhshëm ato të kenë impakt më të madh në zhvillimin e turizmit.
Ky investim, i cili do të vazhdojë deri në fund të qershorit, i dyti pas atij të korsive të biçikletave, mbjelljes së palmave dhe pemëve dekorative përgjatë rrugës, ka sjellë reagimin e ashpër të bizneseve dhe banorëve në plazhin e Durrësit.
Operatorët turistikë, të cilët aktivitetin e tyre e ushtrojnë në të dyja anët e rrugës “Pavarësia”, tregojnë se janë drejt falimentimit, pasi punimet kanë pezulluar aktivitetet e tyre.
“Prej ditësh rruga e Plazhit është kthyer në një kantier ndërtimi. Këtu po punohet për një investim të ri nga ana e bashkisë së qytetit, por bllokimi i segmentit, si dhe ngushtimi i rrugës i parashikuar në projekt po ndikon negativisht në aktivitetin tonë.
Prenotime nuk kemi fare, pasi klientët shikojnë të arsyeshme të shkojnë diku tjetër, për shkak të punimeve që po kryhen në këtë rrugë. Jemi drejt falimentimit, pasi prej dy muajsh, që kur nisi investimi, aktiviteti ynë është i pezulluar”, shprehen të shqetësuar biznesmenët, të cilët shtojnë se askush nuk do të preferonte të pushonte në një zonë turistike, ku ndotja akustike që shkaktohet si pasojë e punimeve do të shoqërojë pushimet e çdo turisti./ L. Musaj. Panorama