Shoqata e Tenisit e Shteteve të Bashkuara ka kërkuar falje për ekzekutimin e një versioni tejet të vjetër të himnit kombëtar të Gjermanisë, që ishte nga periudha e regjimit nazist, para një ndeshjeje në kuadër të garave Fed Cup.
Para takimit të së shtunës në Havaji, ndërmjet tenistes amerikane, Alison Riske, dhe asaj gjermane, Andrea Petkovic, organizatorët e ekzekutuan verzionin e himnit gjerman, në të cilin ishin edhe vargjet “Gjermania, Gjermania, para se gjithash në botë”.
Këto vargje ishin identifikuar si të afërta me Gjermaninë naziste të Adolf Hitlerit.
Tenistja Petkovic, e lindur në Bosnjë Hercegovinë, u tha gazetarëve pas takimit se kishte menduar për ta bojkotuar duelin.
Asociacioni i Tenisit i Shteteve të Bashkuara më vonë ka kërkuar falje.
“Në asnjë mënyrë nuk kemi pasur për qëllim të shfaqim mosrespektim”, thuhet në deklaratën e këtij asociacioni dhe shtohet se “ky gabim më nuk do të ndodhë dhe himni i vërtetë do të ekzekutohet” në duelet e tjera./REL